Pezullohet mësimi në qarqet e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës

Vendimi vlen vetëm për nxënësit

Është pezulluar mësimi për nxënësit në qarqet e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës. Njoftimi u bë nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahini në një konferencë për media.

Në Durrës mësimi është pezulluar deri në datën 9 dhjetor ndërsa në dy qarqet e tjera deri në datën 5 dhjetor.

“Sot me propozimin tim mori këtë vendim, në qarkun e Durrësit, Durrës, Krujë, Shijak deri në 9 dhjetor pezullohet mësimi. Në qarqet Tiranë, Vorë, Kamëz Kavajë, Rrogozhinë, në qarkun e Lezhës, Kurbin, Mirditë deri në datë 5 dhjetor por ruajmë mundësinë që ta shtyjmë edhe për disa ditë të tjera nëse nuk jemi të sigurt që janë në gjendje të duhur. Do e bëjmë njoftimin me datën 4 dhjetor. Mësimi fillon normalisht në të gjitha qarqet e tjera. Në qarkun e Elbasanit në dy shkolla ka relativisht të vogël të nxënësve dh do transportohen në shkollat e afërta dhe do rifillojnë mësimin. Kjo vlen edhe për shkollat private. Kopshtet dhe çerdhet në Tiranë e Lezhë do kenë fleksibilitet, ato që janë të sigurta edhe mund të rihapen. Në Durrës nuk rifillojnë deri në datën 9 dhjetor”, ka thënë ajo.

Ndërkohë që vendimi vlen vetëm për nxënësit pasi mësuesit do kthehen në shkolla të hënën (2 dhjetor).

Ministrja ndërkohë shtoi se të gjithë nxënësit, shkollat e të cilëve janë të dëmtuara, do zhvendosen në shkolla të tjera me mjete transporti të siguruara nga qeveria.

Ndërsa shtoi se nxënësit do ndihmohen edhe pasdite me detyrat e shtëpisë që do kenë për ditën e nesërme.

“Ministria e Arsimit mbrëmë ka finalizuar planin e zhvendosjes së nxënëseve nga shkollat që janë shumë të dëmtuara, të cilat nuk do hapen as pas një periudhe shkollore në shkollat pritëse. Është e nevojshme për të ditur që kur të fillojë mësimi ku shkollë do të shkojnë nxënësit. Kemi bërë kalkulimet e kostove të kësaj zhvendosje dhe jemi në proces të organizmit të mjeteve transportuese që do të bëjnë këtë lëvizje. Kjo përfshin edhe nxënësit që janë të strehuar përkohësisht nëpër hotele. Ata nxënës besoj se do të ndryshojnë shkollën dhe duhet ti transportojnë në shkollat më të afërta. Pasdite do të kenë edhe një shërbim tjetër arsimor nëpër vendstrehimet e përkohshme ku ndihmohen me detyrat e shtëpisë dhe mësimin për të nesërmen. Strehimet e përkohshme nuk janë vetëm në hotele por ka edhe në çadra nxënës, por që kjo pjesa e çadrave do mbyllen shumë shpjet dhe besoj shumë shpejt do i kemi të gjithë nxënësit në kushte të përshtatshme për të marrë mësim dhe organizuar të gjitha aktivitetet e tjera”, ka thënë Shahini.

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë sot bëri një bilanc të objekteve shkollore të dëmtuara në Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Elbasan. Shahini tha se janë në totale 52 objekte shkollore ku nuk mund te kryhet mësim, përfshirë edhe kopshte.

Back to top button