Ekspozita do të hapet sonte në orën 19:00

Ekspozita do të hapet sonte në orën 19:00

Në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, sot në orën 19:00 bëhet ceremonia e hapjes së ekspozitës personale të piktores Argenita Fetahu, e titulluar “Përtej.”

Në brendinë e pikturave të Argenitës gjithçka na dërgon drejt një mendimi subjektiv, sepse vet piktura e saj na shtynë ta ngacmojmë imagjinatën. Veprat e saj paraqesin një temë që lidhet me përjetimet emocionale të kohës kur janë realizuar. Veprat e saj kanë një pikë referimi, eksperiencën e vet artistes, ndjeshmërinë, raportin mes të shkuarës dhe të tashmes. Imazhet gjysmë reale dhe gjysmë abstrakte mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë individuale, ku ndjeshmëria tonale kthehet në vlerë unike.

Në këtë ekspozitë ka edhe një veçanti, gjegjësisht një fustan të nënës së saj, me anë të së cilit Argenita paraqet dy kohë, dy breza. Në të njëjtën kohë paraqet aspektin e emancipimit, se deri ku kemi bërë progres në këtë drejtim apo kemi ngelur në të njëjtin stad me të kaluarën. Pra, autorja ka zgjedhur fustanin për të trajtuar temën e cila hap horizonte përtej asaj që ne shohim nëpër tablo.

Personazhi kryesor – figura e kultit të nënës, përkatësisht fustani i saj i viteve të 80-ta, bart një kronologji ngjarjesh historike, që kanë ndodhur përreth dollapit të pritjeve të mëdha. Është fustan që identifikohet me gjendjen sociale, politike, kulturore, filozofike, me të qenurit nuse, grua, nënë, femër me imagjinatë të bujshme, të cilën sot autorja do ta ‘z’deshë’ nga vitrinat e mbamendjes, për ta veshur në rrethana arti me ngjyra arti.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës deri më 27 mars 2020.