Pisha e mbjellë nga Nënë Tereza u sharrua, drejtori i gjelbërimit zotohet se rrënja do të konservohet

Këto dy pisha janë mbjellë nga vetë duart e Nënë Terezës, kur ajo e vizitoi Shkupin në vitin 1980.
Janë të mbjella në vendin ku dikur ka qenë shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut.
Në fakt gjithsej ishin 3, por ditë më parë, era e fortë njërin dru e shkuli me rrënjë.
Pemën e rënë ndërmarrja e Parqeve dhe Gjelbërimeve në Qytetin e Shkupit e copëtoi dhe e largoi, veprim për të cilin sot reagoi Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, thotë se autoritetet e qytetit kanë pasur mundësi që drurin ta mbanin ende gjallë.
“Nuk është dëmtuar për t’u eliminuar nga faqja e dheut dhe ky bredh ka mundur të sanohet”, tha ai.
Asani pohon se kanë kërkuar nga Qyteti i Shkupit që druri të kthehet mirëpo, siç thotë, kërkesës së tyre kryetarja e qytetit Danella Arsovska i është përgjigjur me sëpatë dhe sharrë.
“Ne ditën e diel kemi kërkuar zyrtarisht nga Qyteti i Shkupit që te sanohet dhe te kthehet në gjendjen e mëparshme dhe ajo do të bëhej por nga reagimi jonë në vend se të na përgjigjen dhe të mobilizohen që te rikthejmë këtë trashëgimi që vetë Nëne Tereza e ka mbjellë, ata mëngjesin e hershëm kanë shkuar dhe e kanë prerë me sharrë”- pohoi Skender Asani, Drejtor I ITSHKSH-së.
TV21 kërkoi përgjigje nga Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, por ajo nuk na ktheu përgjigje. Na drejtori i “Parqeve dhe Gjelbërimeve”, Angele Sotirovski, i cili zotohet se rrënjën do ta konservojë, ndërsa afër do të mbillet pemë e re.
“Me gjithë respektin për historinë dhe trashëgiminë natyrore, fatkeqësisht duhej t’u nënshtroheshim dukurive natyrore. Pema e rënë kishte sistem rrënjor të dëmtuar. Në konsultim me ekspertët e pylltarisë, na u tha se pema e rrëzuar nuk ka mundësi të rimbillet dhe të mbijetojë. Është dëshira dhe angazhimi ynë që rrënja e asaj peme të mbetet në atë vend. Ne folëm edhe me nipin e Nënë Terezës, zotin Alojz Gombar, duke e informuar se ajo rrënjë do të konservohet, d.m.th. do të mbrohet dhe një pemë tjetër e të njëjtit lloj do të mbillet në afërsi të pemës së rënë.”- deklaroi Angele Sotirovski, U.D. drejtor “Parqe dhe Gjelbërime”
Përndryshe, disa prej mbetjeve të pishës që gjendeshin në tokë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore i ka mbledhur dhe do t’i kërkojë krye bashkiakut të Tiranës dhe kryetarit të Prishtinës që t’i mbjellin nga 25 boçe ne shenjë te 25 vjetorit te shkuarjes ne amshim të Nënës Terezës./TV21

Back to top button