Dy ndeshje do të zhvillohen të dielën

Dy ndeshje do të zhvillohen të dielën

Të dielën, Kosova do të debutojë në kualifikimet e FIBA 3X3 Europe Cup, në Konstanca të Rumanisë. Lojtarët shprehen shumë të lumtur që do të përfaqësojnë Kosovën për herë të parë në një garë të tillë, derisa theksojnë se do të japin maksimumin. Kosova ndodhet në një grup me Slloveninë dhe Andorrën, ku vendi i parë kualifikohet tutje. Garat do të zhvillohen të dielën.

Koordinatori Agon Fehmiu ka folur për përgatitjet dhe garat që e presin në këtë turne shumë të rëndësishëm.

“Të enjten e kaluar kemi pasur grumbullimin e parë dhe po stërvitemi dy herë në ditë, që të përgatitemi sa më mirë për kualifikimet në Rumani. Lojtarët kanë marrë pjesë në ‘Albanian Cup’, që ishte i rëndësishëm për tu përgatitur sa më mirë. Lojtarët janë të përgatitur fizikisht, që është shumë e rëndësishme. Tashmë po përgatitemi sa i përket anës taktike. Të gjithë janë shumë të motivuar dhe kemi një ekip shumë të komponuar. Është një atmosferë shumë e mirë në këtë ekip. Për mua nuk është e rëndësishme vetëm pjesëmarrja. I kam nisur turnetë e streetballit para 20 vjetësh dhe ky është kurorëzimi më i mirë për punën në dy dekadat e fundit. Ky sport tashmë është edhe olimpik, andaj meriton përkrahje më të madhe, sidomos nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Ky sport është ekipor, por mund të shkojë në Lojëra Olimpike dhe nuk do të ishte e vështirë pjesëmarrja në gara të tilla të rëndësishme. Sllovenia është në vendin e tretë në botë. Me Slloveninë duhet të përgatitemi maksimalisht. Do të shohim se, edhe me çfarë ekipi do të paraqitet. Nëse shikojmë realisht, Sllovenia është favorite. Por, ne duhet të mundim Andorrën, edhe pse ka përvojë ndërkombëtare. Synimi është një fitore në këtë garë. Ne do të japim maksimumin për të mundur edhe Slloveninë. Ata nuk kanë shumë njohuri për ekipin tonë dhe kjo është përparësi për ne. Pra, loja e parë me Slloveninë është shumë e rëndësishme”, ka theksuar Agon Fehmiu.

Ekipi i Kosovës përbëhet nga Arti Hajdari, Altin Sahiti, Albatrit Berisha dhe Arian Mehmeti, të gjithë me përvojë dhe të përkushtuar për të dhënë maksimumin.  Hajdari ka thënë se do të japin 100 % nga vetja në këto kualifikime.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Kemi një ekip të mirë dhe atmosfera në ekip është shumë e mirë. Është një ndjenjë e pakrahasueshme për të përfaqësuar Kosovën në një ngjarje të tillë. Është hera e parë dhe historike që po marrim pjesë në një garë të tillë. Slloveninë e shohim si favorite të grupit, por ne do të japim maksimumin ndaj tyre, derisa besojmë në fitore ndaj Andorrës”, ka deklaruar basketbollisti i njohur.

Arian Mehmeti ka thënë se është krenari të përfaqësosh shtetin në një ngjarje të tillë madhore

“Është një ndjenjë e mirë, sepse kjo është hera e parë. Nuk shkojmë vetëm për pjesëmarrje, por të dëshmuar se dimë të luajmë dhe të kthehemi me paraqitje të mirë. Ne e dimë se çfarë cilësie ka Sllovenia, por ne do të luajmë për fitore, derisa pres fitore ndaj Andorrës”, ka deklaruar Mehmeti.

Altin Sahiti ka pohuar se presin edhe rezultate pozitive

“Përgatitjet kanë shkuar mirë. Gjithsesi do të përgatitemi maksimalisht deri në fillimin e garave. Do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mira. Sllovenia ka një ekip shumë të fortë, kurse Andorra është afër neve. Besoj se do të kemi ndeshje të mirë me Slloveninë dhe fitore me Andorrën. Besimin që na ka dhënë koordinatori dhe Federata e Basketbollit e Kosovës, do të mundohemi ta shpërblejmë në mënyrën më të mirë”, ka deklaruar ai.

Edhe Albatrit Berisha ka deklaruar se do të japin maksimumin për Kosovën.

“Jemi në javën e dytë të stërvitjeve dhe kanë shkuar shumë mirë deri më tani. Sllovenia ka një super ekip dhe me përvojë. Nuk do të jetë e lehtë, por të japim maksimumin. Ne përfaqësojmë Kosovën për herë të parë në një turne. Kjo është historike dhe do të mundohemi të lëmë gjurmë. Shpresoj në rezultate të mira”, ka thënë Berisha.

Kosova do të luajë ndaj Sllovenisë të dielën nga ora 09:25, derisa ndeshjen e dytë ndaj Andorrës e zhvillon po ashtu të dielën nga ora 10:15. Ky është edhe një projekt i Federatës së Basketbollit të Kosovës për të masivizuar sa më shumë këtë lojë, duke shpresuar se do të do të rritet interesimi dhe krahas basketbollit do t’i kushtohet rëndësi edhe kësaj lojë, shumë të popullarizuar dhe atraktive në botë.