Plagoset i shumë kërkuari pasi gjuan me armë forcat speciale
I plagosuri është jashtë rrezikut për jetë
Policia njofton përfundimin e operacionit policor të koduar “Hoshtima”, zhvilluar nga Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me DVP Vlorë.
“Në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, 47-vjeçari i kërkuar, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, hapi zjarr ndaj forcave të Policisë duke u rrezikuar jetën e tyre, por mbetet i plagosur gjatë shkëmbimit proporcional të zjarrit”.
Operacioni u mbyll mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:05.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e presonit, si dhe informacionet që ky shtetas mbante armë zjarri, Forcat Speciale Renea kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.
Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47 vjeçari Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.
Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.
Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.
Ekipi i Reneas i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”./oranews