"Qeverisja e VV-së si prioritet të parë e ka sundimin e ligjit apo shtetin e së drejtës"

Qeverisja e VV-së si prioritet të parë e ka sundimin e ligjit apo shtetin e së drejtës”

Kandidatja për deputete nga Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në emisionin “Debat Përnime”, shpalosi planin e Vetëvendosjes për Drejtësinë, Korrupsionin dhe Sigurinë.

Haxhiu tha se qeverisja e tyre si prioritet të parë do ta ketë sundimin e ligjit.

“Qeverisja e VV-së si prioritet të parë e ka sundimin e ligjit apo shtetin e së drejtës. E shohim si projekt të pakompromis dhe rrugën e vetme drejtë depolitizimit të procesit të vetingut. Menjëherë sapo të formohet Qeveria Kurti, si prioritet i joni do të jetë përgatitja e procesit të vetingut, pas përfundimit të këtij procesi duhet të garantohet përmirësimi i besimit të publikut në sundimin e ligjit në Kosovë, përmirësimi i transparencës, llogaridhënies dhe integritetit të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë, si dhe përmirësimin e performancës dhe besimit se këto institucione janë në gjendje të kryejnë detyrën në mënyrë të paanshme të pavarur dhe të drejtë”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu tha se procesi i vetingut do të kalojë në dy faza.

“Faza e parë që është gjithëpërfshirëse dhe do të zgjas maksimumi 24 muaj dhe faza e dytë e përhershme dhe sistematike”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu tha se prioritet i tyre është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“90 për qind e rasteve të profileve të larta të korrupsionit mbeten ose prokuroria heq dorë nga aktakuza ose pezullohet ose shpallen të pafajshëm, besojmë ligji antimafia ku barra e provës vendoset tek personi i dyshuar dhe profilizimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në rastet e korrupsionit janë si prioritet i joni”, ka thënë Haxhiu./21Media