"Plisat" kanë ndihmuar 250 familje në Shqipëri

“Plisat” kanë ndihmuar 250 familje në Shqipëri

Grupi i tifozëve të Prishtinës, “Plisat” gjatë ditës së marte ka përfunduar ditën e parë të aksionit me sukses në Shqipëri, për t’u dalur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

“Plisat” përmes një postimi në facebook sonte kanë njoftuar se kanë furnizuar me gjëra elementare, veshmbathje, ushqim, gjëra higjienike, batanije dhe barna 250 familje.

“Plisat”, po ashtu kanë theksuar se me vete për në Prishtinë kanë marrë 30 banorë nga Durrësi për t’i strehuar në Prishtinë, shkruan rtv21.tv

“Tashmë morrëm rrugën për Prishtinë. Rrugës nuk po kthehemi të vetëm. Bashkë me ne i morrëm 30 banorë të Durrësit për t’i strehuar në Prishtinë. Vazhdojmë nesër!”, kanë shkruar në facebook “Plisat”.

Shqipëria në mëngjesin e së martes është tronditur nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Numri i i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 23, ndërsa raportohet për qindra të lënduar. Në mesin e viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti në Shqipëri janë edhe dy vëllezër nga Gjilani.

Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit, të cilat kanë ngushëlluar dhe mbështetur popullin shqiptar. Për tërmetin e sotëm, i cili u ka marrë jetën e dhjetëra njerëzve është shkruar edhe nga mediat prestigjioze botërore, CNN, BBC, The Guardian, etj./21Media