Shqipëria nuk e ka mbyllur edhe qarkullimin mallrave nga Kosova

Shqipëria nuk e ka mbyllur edhe qarkullimin mallrave nga Kosova

Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për mbylljen e kufirit me Kosovën si masë parandaluese ndaj Koronavirusit ka nisur së zbatuari. Përveç automjeteve që bartin mallra dhe atyre zyrtare, shtetas apo automjete tjera nga Kosova nuk po lejohen që të kalojnë në pikën kufitare në Morinë në drejtim të Shqipërisë.

Vendimi për mbylljen e kufirit nga ana e Shqipërisë ka nisur sot nga ora 06:00 të mëngjesit, ndërsa kjo masë do të zgjasë deri me datë 15 mars të këtij viti, në ora 24:00.

Mbylljen e kufirit nga Shqipëria për qytetarët e Kosovës dikush e sheh si masë të mirë parandaluese ndaj këtij virusi, i cili ka prekur 33 persona deri tani dhe ka një viktimë, por dikush edhe po e kundërshton.

Në paraditen e sotme rrugën drejt shtetit shqiptar vetë i katërti e ka marrë Rexhep Ajeti nga komuna e Lipjanit, i cili ka thënë për Kp se nuk po lejohet nga pjesëtarët e Doganës të Shqipërisë që të kalojnë pikën kufitare në Morinë, pas mbylljes së kufirit nga ana e Shqipërisë. Ajeti ka shtuar se ndonëse ndihet i rrezikuar e ka marrë këtë rrugë, pasi vëllai i tij së bashku me familjen kanë pësuar aksident.

I frustruar për mbylljen e kufirit është shprehur Xhavit Meha, i cili nuk është lejuar të kalojë në anën e Shqipërisë. Ai për Kp ka thënë se ka zgjedhur Shqipërinë që të kalojë vikendin ndonëse në këtë vend ka edhe viktima nga virusi COVID19.

Qeveria shqiptare në kuadër të të gjitha masave karshi koronavirusit, ndonëse e ka mbyllur kufirin për qytetarët e Kosovës, nuk e ka mbyllur edhe qarkullimin mallrave nga Kosova.

Të rrezikuar po ndihen shoferët e maunave të mallrave që pothuajse çdo ditë udhëtojnë drejtë Shqipërisë. Beqir Daka, i cili ishte duke bartur mallra drejt territorit shqiptar kërkon më shumë kujdes të shtuar.

Ndërkohë, shumë qytetarët që po hynin nga Shqipëria në Kosovë kanë thënë se është mirë që po ndërmerren masa dhe kontrolle mjekësore.

Riza Ceka nga Deçani i mirëpret masat e ndërmarra nga Kosova për t’u mbrojtur nga COVID19, por sipas tij, më shumë është duke u krijuar panik tek qytetarët e Kosovës. Kosova vazhdon të jetë ende e paprekur nga koronavirusi nga kjo sëmundje vdekjeprurëse, e cila është shpërndarë në më shumë se 100 vende të botës dhe ka marrë mijëra jetëra.