Poetja fitoi çmimin me poezinë "Kam nevojë të kthehem"

Poetja fitoi çmimin me poezinë “Kam nevojë të kthehem”

Në Komunën e Gjilanit sot është mbajtur Ora e Madhe Letrare “Muza e Agimit” në kuadër të manifestimit “Ditët e Agimit”.

Në këtë aktivitet nga 20 poet që morën pjesë, fituese u shpall poetja, Sadete Tërnava-Osmani, përcjell rtv21.tv

Sadete Tërnava-Osmani u shpall fituese e çmimit “Muza e Agimit” me poezinë “Kam nevojë të kthehem”.

Përndryshe, edhe ky edicion nisi e përfundoi me deklamimin e vargjeve të Agim Ramadanit. Poezi lexoi edhe bashkëshortja e Agimit, Shukrije Ramadani, pasi ka falënderuar të pranishmit për nderimin që po ia bëjnë Agimit me këtë ngjarje kushtuar atij.

Manifestimi “Ditët e Agimit” vazhdon të premten me zbulimin e mozaikut – portretit të Agim Ramadanit, bërë me gëzhoja plumbi, nga i riu Besart Gashi, e që është vendosur në qendër të Gjilanit, nga ora 14:00, për të vazhduar me aktivitete tjera deri në tubimin qendror “I këndojmë Agimit” që mbahet në Zhegër nga ora 16:00.

Manifestimi Tradicional “Ditët e Agimit”, mbahet për çdo vit, më 1, 2 dhe 3 maj, në Zhegër të Gjilanit, në vendlindjen e heroit të kombit, Agim Ramadani-Katana./21Media