Policia bën bilancin: U lënduan 3 policë, por nuk tregon sa protestues u plagosën

Policia bën bilancin: U lënduan 3 policë, por nuk tregon sa protestues u plagosën

Policia e shtetit në Shqipëri informon se tre efektivë policie janë lënduar me sende të forta gjatë protestës që u mbajtë sot para parlamentit. Edhe mes tubuesve pati të lënduar, si pasojë e efekteve të gazit lotsjellës, të përdorur nga Policia për të prapsur turmat e dhunshme.

Menjëherë pas mbylljes së tubimit, në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor. Policia e quan tubimin të paligjshëm dhe bën të ditur se po punon për identifikimin e autorëve të përfshirë si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi dhune

“Partia Demokratike e aleatët e saj, organizuan sot një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i cili, në kundërshtim të plotë me ligjin, në mënyrë të papritur dhe të pa lajmëruar, por edhe në kundërshtim me vetë kërkesën e organizatorëve për vendin e protestës, u zhvendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë tubimit të paligjshëm përpara Kuvendit, protestuesit krijuan incidente me Policinë dhe më pas e goditën, gjatë përpjekjes për të çarë kordonin e forcave të rendit. Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit u hodhën gurë dhe mjete të tjera të forta. Për pasojë u lënduan dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 3 punonjës policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën”, informon policia e shtetit, raporton oranews.

Opozita e bashkuar në Shqipëri sot protestoi në Tiranë. Kjo ishte protesta e saj e pestë në një muaj me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit, Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.