20 vjet me Policinë e Kosovës

20 vjet me Policinë e Kosovës

Me rastin e 20- vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se policët e Kosovës kanë qenë simbol i besimit, sakrificës dhe përkushtimit të pakontestueshëm për rend dhe ligj në 20 vjetët e fundit.

“Ky rrugëtim dy dekadash ishte plot sfida, por asnjëherë nuk mungoi gatishmëria e policëve tanë për të sakrifikuar edhe jetën në përmbushje të betimit të dhënë për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve tanë”, ka thënë Thaçi përmes llogarisë së tij në “Facebook”.

Në këtë 20 vjetor Thaçi kujtoi edhe Enver Zymerin dhe dhjetëra policë të rënë në krye të detyrës.

“Shteti i Kosovës e ka për obligim që të krijojë kushte më të mira të punës për policët tanë”, u shpreh ai.

Më 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës./21Media