Kërkohet nga institucionet që ta zgjidhin këtë çështje urgjentisht

Kërkohet nga institucionet që ta zgjidhin këtë çështje urgjentisht

Sami Thaqi është polici i 21-të, i cili ra në krye të detyrës. Ai e humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një mjeti eksplodues gjatë bastisjes në një shtëpi në fshatin Zhur, ku mbetën të plagosur edhe dy policë të tjerë.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës e deri më tani 21 zyrtarë të saj kanë humbur jetën në krye të detyrës. Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001, kurse e fundit ajo mbrëmshmja në aksionin antidrogë në Zhur. Përkundër rrezikut me të cilën ballafaqohen policët në Kosovë, këta të fundit vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor, edhe pse kërkesa për një gjë të tillë është kamotshme.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli tha se të gjitha rastet deri më tash, sikur edhe rasti tragjik i mbrëmshëm, janë dëshmi se urgjentisht institucionet e vendit duhet ta zgjidhin këtë çështje jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës. Tasholli tha se është e papranueshme që 21 policë të Kosovës kanë rënë në krye të detyrës. “Tani bëhen 21 policë që kanë vdekur në detyrë me këtë që na ndodhi mbrëmë, është shumë e pa pritshme për neve, shumë e prekshme për neve që në këtë periudhë ne si shtet kaq i ri me një popullatë kaq të vogël me një gëzim që kemi pritur lirinë tonë dhe të vriten policët në krye të detyrës nga vetë populli jonë, kjo është shumë e papranueshme për neve”, deklaroi ai.

Sipas tij, zyrtarët policorë punojnë pa sigurime jetësore dhe pensione invalidor dhe askush deri më sot nuk i ka dhënë një epilog kësaj çështje. “Nga 2003 flitet për sigurime shëndetësore dhe ende nuk ndodh të gjithë pushtetarët një zëri i japin prioritet Policisë për punën e tyre për angazhimin e tyre, mirëpo deri më sot këto punë kanë qenë në vesh të shurdhër. Polici punon pa sigurim shëndetësor, pa sigurim jetësor, pa pension invalidor, pa pension të rregullt, krejt janë brenga të cilat i ka Policia e Kosovës dhe deri më sot nuk po del ta bëjë askush një pikë që nga sot do fillojnë të rregullohen këto gjëra. Jemi e vetmja polici në botë mund ta quaj pa sigurime shëndetësore edhe jetësor dhe pension invalidor”, tha ai.

Si një përparësi Tasholli përmendi faktin se të gjithë policët që lëndohen në vendin e punës trajtimet mjekësore i marrin pa pagesë.

Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës tregoi për kp se familja e policëve të vdekur në vendin e punës marrin 80% të pagës, kurse ata nga vdekja natyrore marrin vetëm 60 për qind të pagës. “Bashkëshorti apo fëmijët e tij do ta gëzojnë një pension nga Policia e Kosovës… 80 për qind nga paga ndërsa ata që kanë vdekje natyrore 60 për qind”, u shpreh Tasholli.

Për policin e vrarë mbrëmë në Zhur të Prizrenit, qeveria e Kosovës sot ndau 15 mijë euro, kurse për policët e plagosur Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj u ndanë nga 10 mijë euro.

Lidhur me këtë rast i dyshuari Iran Badalli është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, kurse gjatë ditës pritet që në Gjykatën Themelore në Prizren për të njëjtin të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Prokuroria Themelore në Prizren, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

Po ashtu, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dekoroi sot policin Sami Thaqi me urdhrin “Hero i Kosovës”.