Polici e mësuesi në paraburgim, mjeku në arrest shtëpiak

Gjykata vendosi edhe për mjekun

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit F.A për shkak të veprës penale “Ndërprerja e pa lejuar e shtatzënisë”.

Sipas një komunikate për medie nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është marrë aktvendimi dhe të pandehurit F.A iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak prej datës 07.02.2019 deri me datë 06.03.2019.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri F.A me dt. 15.01.2019 në kundërshtim me Ligjin 03/L-10 për ndërprerjen e shtatzënisë, në ordinancën e tij private specialisktike-gjinekologjike ka bërë ndërprerjen e shtatzënisë ndaj të dëmtuarës”, thuhet në komunikatë.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e arrestit shtëpiak është bërë duke pasur parasysh peshën e veprës penale, pasi që i pandehuri po të gjendet në liri, ekziston rreziku se i njëjti do të ndikojë tek dëshmitarët apo të arratiset me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Dy ditë më parë policit V.V iu caktua masa e paraburgimit për 30 ditësh. Ndërsa edhe mësuesit sot iu caktua nga gjykata masë e njëjtë- paraburgim prej një muaji.

Më 5 shkurt në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë./21Media

Back to top button