"Janë shpartalluar edhe disa grupe kriminale"

“Janë shpartalluar edhe disa grupe kriminale”

Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, në dy operacione policore të ndërmarra në Prishtinë dhe në Ferizaj, ka arrestuar 7 persona dhe ka konfiskuar 136 kg narkotikë të llojit marihuanë.

Këto të dhëna i ka bërë të ditura drejtoresha e divizionit kundër krimit të organizuar, Kolonel Florie Hajra, e cila tha se këto dy operacione janë realizuar gjatë muajit qershor.

Ajo ka dhënë detaje nga operacioni që Policia e Kosovës ka ndërmarrë ditën e djeshme në magjistralen Prishtinë-Podujevë, e ku janë arrestuar tre persona.

“Rasti i fundit është dje, me 30 qershor 2019, rreth orës 18 e 40 në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë, në fshatin Lluzhan. Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik e ka realizuar operacionin policor, me ç’rast ka ndaluar tri vetura të dyshuara nën dyshimin e bazuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. Gjatë kontrolli në njërën nga tri veturat, në bagazhin e njërës veturë janë gjetur tetë paketime me marihuanë me peshë të përgjithshme 81 kg e gjysmë, të cilat veç i kemi ekspozuar. Në vazhdim të operacionit me urdhër të prokurorit janë kontrolluar lidhur me këtë operacion edhe tri shtëpi, njëra në fshatin Bajqinë në Komunën e Podujevës dhe dy shtëpi të tjera në Komunën e Vitisë. Mirëpo, në të tri shtëpitë gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë. Lidhur me këtë rast janë arrestuar tre persona, tre meshkuj, ndërsa janë konfiskuar 81 kg e gjysmë narkotik të llojit marihuanë që vlera e përafërt sillet rreth 100 mijë euro. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar edhe tri vetura dhe 5 telefona celularë”, tha ajo.

Ndërsa, operacioni policor i organizuar në Ferizaj, Hajra bëri të ditur se ka qenë në vazhdimësi të rastit të koduar “Ura e gurit”, ku ishin konfiskuar mbi 108 kg marihuanë dhe ishin arrestuar 9 persona.

“Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë në Ferizaj, në asistimin edhe të njësive tjera përkatëse ka konfiskuar edhe 55 kg e gjysmë marihuanë dhe ka arrestuar lidhur me këtë rast 4 persona të dyshuar nën dyshimin e bazuar po ashtu për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. Lidhur me këtë rast janë konfiskuar 55 kg e gjysmë që në vlerë sillen rreth 75 mijë euro, ndërsa në cilësi të provave materiale përveç substancës janë sekuestruar edhe 6 vetura, 11 telefona, një armë, 18 fishek, para të gatshme lek shqiptar 123 mijë e 960 dhe para të gatshme 635 euro”, tha ajo.

Nga zyra për media e Policisë së Kosovës, Kapiten Daut Hoxha, ka bërë të ditur se vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë iniciuar 613 raste që ndërlidhen me substanca narkotike.

Po ashtu, ai bëri të ditur se janë arrestuar 725 persona të dyshuar, ndërsa konfiskimet e drogave kanë shkuar në mbi 600 kg.

“Gjatë vitit të kaluar Policia ka iniciuar raste që ndërlidhen me substanca narkotike 1 mijë e 866 raste, janë 2 mijë e 322 persona të dyshuar prej tyre kemi 2 mijë e 171 persona të arrestuar. Gjatë këtyre operacioneve policore është konfiskuar në vitin 2018 edhe një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike, respektivisht drogave, ku vetëm në 2018 kemi rreth 980 kg marihuanë, ndërsa drogë të llojit heroinë  janë rreth 20 kg. Gjatë periudhës gjashtë mujore, pra janar-qershor 2019, kemi të iniciuara 613 raste me 766 persona të dyshuar dhe 725 persona të arrestuar. Ndërsa, konfiskimet e drogave gjatë kësaj periudhe kanë shkuar mbi 600 kg”, bëri të ditur ai.

Ndër të tjera Hoxha tha se Policia e Kosovës gjatë vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti ka organizuar disa operacione në parandalimin dhe luftimin e trafikimit të drogave, ndërkohë që bëri të ditur se janë shpartalluar edhe disa grupe kriminale.