Cak i bastisjeve "Call center" në Prishtinë e Ferizaj

Cak i bastisjeve “Call center” në Prishtinë e Ferizaj

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Gjermanisë kanë kryer sot një operacion të përbashkët në Prishtinë e Ferizaj, e që ka pasur për qëllim gjetjen e dëshmive për veprën penale pastrim i parave.

Rastin e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha.

“Ju konfirmoj se, sot nga ora 11:00, Policia e Republikës së Kosovës, respektivisht Sektori për hetimin financiar në kuadër të Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në bashkëpunim me Policinë e shtetit të Gjermanisë, kanë në proces të realizimit një operacion të përbashkët, nën mbikqyrje nga një prokuror special vendas dhe nje prokuror gjerman, i cili operacion ka per qellim gjetjen e deshmive me qellim te vertetimit te vepres penale që nderlidhet me “Pastrim të parave””, tha Hoxha për rtv21.tv.

Sipas policisë operacioni i referohet zbatimit të urdhërese së lëshuar nga gjykata kompetente për kontroll/bastisje në 6 lokacione në dy qytete, në Prishtinë dhe Ferizaj.

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftur se ky operacion është bërë me qëllim të bastisjes së disa qendrave të quajtura “Call center” në qytetin e Prishtinës dhe të Ferizajt, me qëllim të zbulimit të fakteve dhe provave për vepra të mundshme penale.

“Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale “Mashtrim” të Kodit Penal gjerman, dhe aksioni është duke u zhvilluar në disa shtete të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Kosova. Po ashtu, Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se nëse zbulohen faktet konkrete do të fillojë hetimet ndaj pronarëve të këtyre qendrave në territorin e Republikës së Kosovës, në drejtim të veprës penale “Shpërlarje parash””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria njoftoi se detajet e tjera do të bëhen të ditura pas përfundimit të operacionit./21Media