Plani për 6 tetorin

Plani për 6 tetorin

Policia e Kosovës njofton se ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme operacionale, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për ditën e dielë.

Sipas policisë ky plan operacional parasheh krijimin e një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Po ashtu Policia e Kosovës bën të ditur se do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces.

“Njëkohësisht PK-ja do të marrë masa të inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj. Andaj Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre. Nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen të dielën me 6 tetor 2019, sot është dita e fundit e fushatës e cila ka zgjatur 10 ditë ndërsa nesër është heshtje zgjedhore.

Lista përfundimtare e zgjedhjeve përmban 1 milion e 937 mijë e 869 emra të votuesve.

Numri i Qendrave të Votimit (QV) është 895, katër 4 qendra të votimit, ndërsa numri i vendvotimeve është 2 mijë e 547.

Numri i përgjithshëm i atyre që e vëzhgojnë procesin zgjedhor të 6 tetorit shkon në 34 mijë e 586 vëzhgues./21Media