Shtyhet ndeshja në Mitrovicën Veriore

Shtyhet ndeshja në Mitrovicën Veriore

Ndeshja e paralajmëruar për sot në mes ekipit futbollistik nga Serbia “Crvena Zvezda” dhe atij “Trepça” nga Mitrovica Veriore nuk do të mbahet.

Këtë për mediat në gjuhën serbe në veri të Mitrovicës e ka konfirmuar drejtori i klubit “Trepça” Bojan Jakshiq.

“E kemi të ndalur të hyjmë në Kosovë, por do ta shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Zvezdan Terzic, menaxher  i skuadrës Crvena Zvezdës.

Këtë e ka kundërshtuar ashpër Federata e Futbollit të Kosovës, ndërsa Policia e Kosovës ka një urdhër të mëparshëm – që vazhdon të mbetet në fuqi – për të mos e lejuar hyrjen e Crvena Zvezdës në Kosovë.

Futbollistët e ekipit Crvena Zvezda janë kthyer në Beograd nga vendkalimi kufitar në Jarinjë, ndërkaq që takimi me ekipin Trepça është shtyrë për të enjten.

Në Jarinjë kanë qenë të pranishme forca të shumta të Policisë së Kosovës, si dhe hyrja në Kosovë u është ndaluar edhe tifozëve që ishin nisur drejt Mitrovicës së Veriut.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, kishte thënë se zhvillimi i ndeshjeve zyrtare të klubeve të Serbisë në territorin e Kosovës është provokim i pastër dhe shkelje e statutit të Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe të Federatës Botërore të Futbollit (FIFA).

“Si mund të luani lojë zyrtare në territorin e dikujt tjetër? Kjo është shkelje e statutit të UEFA-s dhe të FIFA-s”, kishte thënë Salihu.

Federata e Futbollit e Kosovës bëri thirrje për ndalimin e ndeshjes në Zveçan dhe i shkroi FIFA-s dhe UEFA-s, por gjithashtu i kërkoi policisë dhe autoriteteve lokale që të mos lëshonin lejen e hyrjes./21Media