Çitaku krenare për të kaluarën e saj e si shqiptare e Kosovës

Çitaku krenare për të kaluarën e saj e si shqiptare e Kosovës

Ambasadorja e Kosovës në Uashington Vlora Çitaku ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar me profesionalizëm gjatë arrestimit të zyrtarit rus të UNMIK-ut, i cili vullnetarisht ka dashur të bëhet mburojë për bandat kriminale serbe në veri dhe të parandalojë autoritetet e shtetit të Kosovës të kryejnë detyrën e tyre.

Çfarë do të ndodhte sikur dikush nga ne këtu të parandalojë operacionin e policisë kundër kriminalëve në Nju Jork, Berlin, Moskë, Paris… Aksioni policor është incizuar dhe i është prezantuar opinionit në tërësi. Xhirimi tregon se zyrtarët e UNMK-ut kanë refuzuar të bashkëpunojnë me policinë dhe të tregojnë dokumentet e identifikimit”, ka thënë ajo gjatë seancës së KS të OKB-së ku po diskutohet raport i rregullt për punën e misionit UNMIK në Kosovë.

Diplomatja kosovare ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe kështu do të jetë përgjithmonë, teksa ka folur edhe për dialogun për të cilin tha se Prishtina zyrtare është e gatshme, por pasi pala serbe të tregojë se është serioze në këtë drejtim.

Ajo ka folur edhe për zgjedhjet nacionale të 6 tetorit, organizimi i të cilave siç ka thënë ajo se ishte i suksesshëm dhe u zhvilluan në mënyrë fer dhe demokratike.

Çitaku ka përmendur se 26 anëtarë të KQZ-së përfunduan në spital pasi kishin simptoma gjatë numërimi të votave të ardhura nga Serbia, duke mos dashur të drejtojë gishtin ndaj askujt, teksa ka shtuar se edhe pas gjithë kësaj autoritetet e Kosovës vazhduan me numërimin e të gjitha votave.

Ambasadorja Çitaku nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin e frikësimit dhe kërcënimeve të komunitetit serb në Kosovë nga ana e bashkëkombësve të tyre dhe Beogradi zyrtar që kërkonin prej tyre të votonin për Listën Serbe në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ajo ka akuzuar Qeverinë e Serbisë se po vazhdon të përdorë instrumente të frikësimit ndaj serbëve, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe të pjesëtarëve serbë në Forcën e Sigurisë së Kosovës që të mos jenë pjesë e kësaj force, teksa ka përmendur se zyrtarë serbë të Kosovës  janë ndalur nga autoritetet e Serbisë në kufi.

Çitaku i ka quajtur të rrejshme pohimet e palës serbe e nga Kosova janë larguar 200 mijë serbë, teksa ka rikujtuar se i dyshuari kryesor për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviqit vazhdon të fshihet në Serbi.

“Kurrë Kosova nuk do të frikësohet dhe Serbia kurrë nuk do ta diktojë”, ka theksuar ajo.

Çitaku ka përmendur edhe për veprimet e Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Interpol, duke thënë se Prishtina zyrtare serish do të aplikojë vitin e ardhshëm për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi që askush nuk ia ndalon këtë të drejtë.

Kosova tashmë ka dëshmuar aftësinë e saj për të treguar veten si faktor stabilitetit”, ka thënë ajo.

Ajo ka përshëndetur aksionin e ushtrisë amerikane për vrasjen e liderit të organizatës terroriste ISIS-it Al-Baghdadi, duke shtuar se Kosova si shtet kontribuon në luftën kundër terrorizmit.

Jam krenare për të kaluarën time si shqiptare e Kosovës. Nuk jam e sigurt se kështu mund të thuhet për juve zoti Daçiq”, ka deklaruar ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.