Çekët të "armatosur" në drejtim të Kosovës

Çekët të “armatosur” në drejtim të Kosovës

Policia e Kosovës konfirmoi se ka arrestuar tetë persona me shtetësi çeke të cilët dyshohen se kishin planifikuar të fusnin mesazhe përmes dronit në stadiumin “Fadil Vokrri” gjatë ndeshjes Kosovë-Çeki.

Mbrëmë rreth orës 20:00 në rrugën Shtërpcë-Prevallë nga njësitet policore janë ndaluar dy vetura me targa të Republikës së Çekisë.

Policia përmes një komunikate për media, ka njoftuar se gjatë kontrollimit në automjete janë gjetur një pankartë me mbishkrim “Kosovo je Srbsko”, një flamur i Serbisë me mbishkrim “Nema predaje”, 6 thika, 2 radiolidhje, 1 shufër hekuri dhe një dron.

Nga ana e policisë të njëjtit janë shoqëruar në Stacionin policor në Ferizaj për intervistim dhe verifikimin e qëllimit të ardhjes së tyre në Kosovë.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, me urdhër të tij, janë konfiskuar përkohësisht dokumentet e udhëtimit si dhe të gjitha pajisjet e gjetura tek ta dhe të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

Nga njësiti i migrimit, personave ju është dorëzuar ftesa zyrtare që sot të paraqiten në këtë njësi për procedura të mëtutjeshme./21Media