Policia jep detaje për bastisjen në Telekom

4 persona shoqërohen në polici

Sot rreth orës 09:00 Policia e Kosovës, në këtë rast Departamenti Special Anti-korrupsion (Task Forca Anti korrupsion), bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka realizuar një operacion policor në Telekomin e Kosovës, nën dyshimin për ‘keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘lidhje e kontratës së dëmshme’.

Policia përmes një komunikate ka njoftuar se ka bastisur 4 zyra dhe ka shoqëruar 4 perona në stacion.

“Operacioni policor ka përfshirë bastisjen e katër (4) zyrave të Telekomit të Kosovës, zyrat qendrore në Prishtinë, me qëllim të gjetjes së provave materiale lidhur me dyshimet e ngritura rreth nënshkrimit të një kontrate në dhjetor të vitit 2019, ku dyshohet se buxheti i Telekomit të Kosovës është dëmtuar me një shumë prej mbi njëqind mijë (100,000.00) euro”, thuhet në komunikatë.

Lidhur me këtë rast janë shoqëruar në polici katër 4 persona të cilët janë duke u intervistuar.

Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione ka sekuestruar disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin si dokumentacione, pajisje elektronike, telefona celular etj., dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore.

Sipas policisë, të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent të rastit./21Media

Back to top button