3 persona arrestohen nga Policia

3 persona arrestohen nga Policia

Operacioni antidrogë i Policisë së Kosovës vë në pranga tre (3) pesona të dyshuar dhe konfiskohen armë, municione, drogë, telefona, automjete, pajisje të ndryshme dhe para.

Në përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative, në veçanti luftimin e trafikimit me narkotikë, me datën 29.03.2018, gjatë implementimit të planit operativ “Stop drogave nëpër shkolla”, njësitet e antidrogës së PK-së, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, pas ndërmarrjes së një sërë veprimesh hetimore dhe operacionale, në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë kanë arrestuar tre (3) persona të dyshuar: (B. L., A. G. dhe A. G.) të përfshirë në veprat penale ‘blerje, posedim, shitje ose shpërndarje e paautorizuar e substancave narkotike’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ka njoftuar Policia me anë të një komunikate për media.

Gjatë operacionit policor përveç sasisë së konfiskuar prej 8 kg e 525gr të substancës së dyshuar të llojit marihuanë, me urdhër të prokurorit kompetent është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit (B. L.), në Prishtinë, me ç’rast janë konfiskuar edhe dëshmi tjera relevante, si: revole ngjyrë e zezë model Zoraki MO2 914-B me një karikator dhe 6 fishekë të kalibrit 7.62 mm, revole ngjyrë e zezë model M-906 –B pa karikator dhe pa fishek, revole e llojit Ekol Special ngjyrë e zezë me një karikator dhe 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm, njëzet e shtatë (27) fishekë të kalibrit 7.62 mm, një sprej OC me mbishkrim NATO ngjyrë e gjelbër,4 paketime të formave dhe madhësive të ndryshme me narkotikë të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 312.5 gramë, një ambalazh plastik mbushur me pluhur ngjyrë të bardhë e dyshuar si narkotikë të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 98.7 gramë me mbështjellës, një peshore digjitale ngjyrë e zezë model SCALE dhe 350 qese të zbrazura plastike, për paketimin e substancës narkotike gjatë shpërndarjes dhe një mulli që përdoret për bluarjen e narkotikëve.

Nga personat e dyshuar janë konfiskuar dy veturat e përdoruara në rast, 4 telefona celularë dhe 690 euro para të gatshme.

Bazuar në hetimet e realizuar prejardhja e substancës narkotike ishte nga Republika e Shqipërisë dhe për destinacion kishte Prishtinën, thuhet tutje në komunikatën e policisë.

Me aktvendim të prokurorit kompetent të dyshuarit dërgohen në qendrën e mbajtjes, kurse rasti i mbetet në kompetencë Njësitit Antidrogë të Prishtinës për hetim të mëtejmë.

Policia e Kosovës mbetet fuqishëm e përkushtuar për luftimin e trafikimit me substanca narkotike dhe rikonfirmon se masa rigoroze do të zbatohen ndaj të gjithë personave të dyshuar të involvuar në veprime të tilla të kundërligjshme./21Media