Sot po ashtu do të mbahet edhe një protestë

Sot po ashtu do të mbahet edhe një protestë

Policia e Kosovës njofton se sot nga ora 11:00 do të mbajë konferencë për media lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të ndodhur me 07 gusht në Gjakovë.

“Për të dhënë informacione dhe detaje më të hollësishme rreth këtij rasti, panelist do të jenë zyrtar nga Policia e Kosovës dhe zyrtar nga Prokuroria Themelore e Gjakovës”, njofton policia.

Konferenca do të mbahet në sallën konferencave, st. policor “Qendra” – Prishtinë.

Shoqëria Civile e Gjakovës në përkrahje nga Rrjeti i Grave të Kosovës, sot në orën 11:00 do të marshojnë prej Parkut të Qytetit deri tek Çarshia e vogël për të kundërshtuar vrasjen e gruas 40 vjeçare dhe vajzës së saj, në Brekoc të Gjakovës dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë.

Mbrëmjen e 7 gushtit në Brekoc të Gjakovës janë vrarë nënë e bijë, Valbona Marku-Ndrecaj dhe vajza e saj 9  vjeçe. Lidhur me këtë rast kanë reaguar krerët e lartë vendor. Dje Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se ka nisur hetimet për mënyrën se si Policia e Kosovës ka trajtuar kërcënimet që Pjetër Nrecaj i kishte bërë bashkëshortes së tij Valbona Nrecajt. Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë që urgjentisht të fillojë grumbullimin e informatave për të verifikuar çdo mosveprim në trajtimin e ankesave të viktimës i cili mund të cilësohet si element i ndonjë vepre penale./21Media