"PK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar"

“PK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar”

Policia e Kosovës lidhur me protestën e nesërme që do ta mbajë Lëvizja Vetëvendosje njofton me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës, i cili ka për qëllim mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës.

Policia e Kosovës bën të ditur se përmes përfaqësuesve të saj ditë më parë ka realizuar një takim me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, e që është qëllim primar i Policisë së Kosovës.

“PK-ja si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe për krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve, duke përfshirë masat në riorientim të trafikut rrugor”, bëhet e ditur në komunikatë.

Policia e Kosovës deklarohet se do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe çdo herë duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore.

Ndryshe, “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, është motoja e VV-së për protesten e neserme  prej orës 14:00.  “Data 29 shtator është dita kur masivisht duhet treguar mospajtimi ynë me pazaret që po bëhen me tokën e Kosovës. Presidenti Thaçi pa autorizim, pa legjitimitet e kokë në vete po zhvillon negociata me Vuçiqin për territorin e sovranitetin e vendit.”, bëhet e ditur në njoftimin e VV-së për protestën. /21Media