Edhe akset rrugore bregdetare do të mbahen nën vëshgim me patrullime të shpeshta

Edhe akset rrugore bregdetare do të mbahen nën vëshgim me patrullime të shpeshta

Policia Rrugore në Vlorë ka publikuar planin e masave për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, gjatë sezonit turistik.

Në bazë të udhëzimit “Mbi kufizimet në qarkullimin e mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave”, nga Shërbimet e Policisë Rrugore pranë DVP Vlorë janë caktuar shërbime të policisë rrugore të planizuar për nevojat e trafikut gjatë sezonit veror 2017. Përparësi u është dhënë pushuesve vendas dhe të huaj, ku kërkohet që punonjësi i policisë të tregojë kulturë, etikë, profesionalizëm në bazë të ligjit.

Po ashtu, akset rrugore bregdetare do të mbahen nën vëshgim me patrullime të shpeshta me qëllim normalizimin e trafikut dhe ndërhyrjen në kohë sa më të shpejtë në rastet emergjente.

Policia bën me dije se deri në datën 30 shtator 2017, gjatë fundjavës, duke filluar në oraret 09:00-14:00 e ditës së shtunë dhe në oraret 12:00-00:00 e ditës së diel, do të ndalohet (kufizohet) qarkullimi i mjeteve rrugore të cilët transportojnë mallra me peshë të përgjithshme të autorizuar mbi 7.500 kg. Po ashtu ndalohen mjeteve rrugore me ngarkesë të pandashme me gjatësi më të madhe se 12 m dhe mjetet rrugore ose bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë. Në vijim të këtyre masave, policia ndalon edhe mjetet rrugore që shërbejnë për kursantët e autoshkollave mësimore.

Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet qarkullimi i këtyre mjeteve në oraret e përcaktuara më sipër, janë Vlorë – Zvërnec; Vlorë- Palas- Dhërmi- Vuno- Himarë- Qeparo- Borsh – Sarandë; Sarandë – Qafë Bot (PKK me Greqinë); Sarandë – Butrint.

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve dhe pushuesve që të vihen në dijeni për këto masa me qëllim mbarëvajtjen me sukses dhe ruajtjet e rendit e të sigurisë rrugore gjatë gjithë sezonit turistik të këtij viti.