Aplikimi i masës zero-tolerancë policia shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik

Aplikimi i masës zero-tolerancë policia shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik

Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, të cilat kohët e fundit sipas policisë kanë shënuar ngritje.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, referuar situatës së krijuar dhe humbjes së jetëve të njerëzve në trafik siç është bërë e ditur ka marrë masa shtesë me krijimin e task Forcë-s, përmes së cilës është bërë shtimi i prezencës së njësiteve policore në trafik në të gjitha akset rrugore, për realizimin e planifikimeve policore duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik.

“Vlen të potencohet se aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik, ka shtuar edhe numrin e shqiptimit të gjobave në trafik ku gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar 2 mijë e 218 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, duke përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë e që është njëri prej shkaktarëve kyç të aksidenteve me pasoja fatale”, thuhet në komunikatë.

Sipas policies kjo task Forcë do të vazhdojë me angazhimet e saja në terren deri në arritjen e qëllimit dhe objektivave të saja, e që janë përmirësimi i sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

Policia e Kosovës, vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te shoferët e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar.