Policia ndal dhjetorin e emigrantëve, i thotë JO protestës para Kryeministrisë

“Ne si shqiptarë të diasporës i kemi dhënë qëllim vetes të mbështesim kauzat e drejta të shqiptarëve në Shqipëri”

Policia e Tiranës refuzon kërkesën e emigrantëve për tubim në kryeqytet në ditët e fundit të dhjetorit.

Në shkresën që mban firmën e drejtorit të policisë në Tiranë, Kastriot Skënderaj njoftohet se një manifestim i tillë i kërkuar në datat 28, 29 dhe 30 dhjetor në intervale të ndryshme kohore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” është i pamundur pasi pengon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, qarkullimin e mjeteve të transportit publik dhe privat.

Po ashtu, policia paralajmëron se për veprime në kundërshtim me ligjin organizatori dhe pjesëmarrësit në tubim do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale.

Shumë emigrantë, të cilët shkojnë në Shqipëri në këtë fundvit për pushime dhe jo vetëm kishin paralajmëruar protestë para Kryeministrisë me 28, 29 dhe 30 dhjetor.

Genc Sejko i njohur si “njeriu i memeve” ishte ideatori i protesës, e cila ka marrë mbështetje të gjerë kryesisht në rrjetet sociale.

“Ne si shqiptarë të diasporës i kemi dhënë qëllim vetes të mbështesim kauzat e drejta të shqiptarëve në Shqipëri, si të studentëve, banorëve të Astirit, mintarëve, invalidëve”, informon Genc Sejko.

 Emigrantët nga Shtetet e Bashkuara, Anglia, Italia, Gjermania e shume vende të tjera evropiane dhe në kontinente të ndryshme kishin konfirmuar pjesëmarrjen në protestë, raporton Oranews.

Back to top button