20-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës

20-vjetori i themelimit të Policisë së Kosovës

Në kuadër të 20-vjetorit të themelimit, Policia e Kosovës po zhvillon aktivitete të ndryshime njëjavore në shenjë të këtij përvjetori jubilar.

Në mëngjesin e sotëm në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, njësite të ndryshme policore i kanë prezantuar disa njësi dhe shumë pajisje para qytetarëve me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit nga këta të fundit për punën e policisë.

Zëvendësdrejtori për operativë i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti tha se ky përvjetor i themelimit të policisë duhet të shërbejë për njoftimin më të madh të punës së tyre.

Ky aktivitet, sot, në shesh i dedikohet gjithë qytetarëve, sidomos të rinjve dhe fëmijëve, atyre që kanë interes të dinë më shumë rreth punëve dhe aktiviteteve tona policore. Natyrisht, që ky është vetëm njëri nga aktivitetet që do të shënohen. Sot jemi duke shënuar edhe aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me aktivitetet sportive. Gjatë ditëve në vijim do të kemi dhe derën e hapur për qytetarët që mund t’i vizitojnë stacionin e policisë”, tha ai.

Mehmeti, po ashtu, i prezantoi edhe disa prej pajisjeve që i kanë ekspozuar, siç ishin njësitet e ndryshme për deminimin e bombave, njësitet e qenve dhe forenzikës.

Ne këtu aktualisht jemi duke i prezantuar disa njësi. Është njësia e komunitetit këtu ku jemi ne, ose ajo pjesa e policisë në bashkësi që është një formë moderne e policisë që i përfshin të gjitha aktivitetet preventive. Qëllimi i policisë nuk është të reagojë kur ndodh diçka, por të parandalojë mos të ndodhë diçka. Natyrisht, në raste të caktuar ne detyrohemi të reagojmë. Këtu i kemi edhe njësitet e trafikut, njësitet tjera të forenzikës dhe mjetet teknike që ne i zbulojmë provat e ndryshme, i ekzaminojmë dhe i prezantojmë para organeve të hetuesisë. Këtu  kemi edhe njësitet e deminimit ose mënyrave bashkëkohore kur zbulohen eksplozivët  e ndryshëm, demontohen minat e ndryshme dhe mjetet e tjera eksplozive, kemi edhe njësitet e qenve”, tha Mehmeti.

Në kuadër të këtij aktiviteti, interesimi i qytetarëve ishte modest, ku kryesisht u interesuan për pajisje të ndryshme të Policisë së Kosovës. Po ashtu, policia pati edhe disa trajnime me njësitin e qenve për të treguar gatishmërinë e tyre.