U tha se viktima ishte ndjerë e sigurt te familja e babait

U tha se viktima ishte ndjerë e sigurt te familja e babait

Policia e Kosovës bashkë me zyrtarë të Prokurorisë së Gjakovës kanë mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media me anë të së cilës kanë sqaruar rastin që ka ndodhur më 7 gusht në Brekoc të Gjakovës, ku u vra një grua dhe vajza e saj nëntë vjeçare nga burri përkatësisht babai.

Policia e Gjakovës ka bërë të ditur se viktima nuk ka kërkuar mbrojtje kur e ka paraqitur rastin më 7 gusht pasi që sipas tyre është ndjerë e sigurt me familjen dhe vëllezërit e saj.

Duke treguar për rastin, policia deklaroi se me të marrë informacionin se në fshatin Brekoc ka të shtëna armësh janë mobilizuar për të hetuar rastin.

Policia ka vazhduar angazhimin për hetimin e rastit dhe se i dyshuari është dërguar në stacionin policor, me urdhër te prokurorit të shtetit i është caktuar masa e paraburgimit.

Në konferencë u tha se dje ka dështuar të mbahet seanca dëgjimore meqë i dyshuari nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe është dërguar në QKUK. Në konferencë u tha se sapo të përmirësohet gjendja e të dyshuarit do të mbahet seanca dëgjimore.

Më 7 gusht në Brekoc të Gjakovës janë vrarë nënë e bijë, Valbona Marku-Ndrecaj dhe vajza e saj 9  vjeçe. Lidhur me këtë rast kanë reaguar krerët e lartë vendor. Dje Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se ka nisur hetimet për mënyrën se si Policia e Kosovës ka trajtuar kërcënimet që Pjetër Nrecaj i kishte bërë bashkëshortes së tij Valbona Nrecajt. Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë që urgjentisht të fillojë grumbullimin e informatave për të verifikuar çdo mosveprim në trajtimin e ankesave të viktimës i cili mund të cilësohet si element i ndonjë vepre penale.