Samiti SHBA-Kore e Veriut

Samiti SHBA-Kore e Veriut

“Asnjë sanksion ekonomik ndaj Koresë së Veriut nuk do të anulohet derisa vendi i izoluar të tregojë çarmatosjen e plotë bërthamore”. Kështu deklaroi sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo gjatë një konference për gazetarë me homologët e tij japonezë dhe koreano-jugorë në Seul.

Komentet e Pompeos vijnë dy ditë pas takimit të presidentit amerikan Donald Trump me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong un, takim që ngriti më shumë pyetje se solli përgjigje. Për këtë arsye Pompeo udhëtoi nga Singapori drejt Seulit për të informuar aleatët rajonalë të SHBA-ve për samitin, por edhe për vendimin e papritur të Trumpit për t’i dhënë fund stërvitjeve të përbashkëta me Korenë e Jugut.

Pompeo mohoi raportet se Trump dhe Kim ranë dakord për një proces hap pas hapi për çmontimin e programit bërthamor, diçka që linte të kuptohej se SHBA-ja do të bënte lëshime gjatë rrugës. Sipas tij, SHBA-ja kërkon çarmatosje të plotë dhe të verifikueshme bërthamore, shkruan rtv21.tv

“Kim Jong un e kupton urgjencën dhe se duhet ta bëjmë këtë shpejt”, deklaroi Pompeo.

Ministri i Jashtëm i Japonisë, Taro Kono, e cilësoi samitin si nisjen e një procesi sfidues, duke thënë se tri vendet duhet të bashkëpunojnë ngushtë.

Në të njëjtin kuadër, ministrja e Jashtme e Koresë së Jugut, Kang Ki Jung u bëri jehonë fjalëve të Trumpit dhe tha se lidhja mes Washingtonit dhe Seulit është më e fortë se kurrë. Po kështu u shpreh edhe presidenti koreano-jugor Mun Jae -in, i cili tha se bota përmes samitit shmangu luftën, siç e ka vlerësuar edhe Trumpi takimin me Kim Jong Unin./21Media