“Populli shqiptar i Kosovës do t’i bashkohej amës së vet kombëtare”

Në përkujtim të Konferencës së Bujanit 

(Z. Fadil Hoxha është një nga pjesëmarrësit e rrallë të Konferencës së Bujanit, e cila u mbajt në këtë katund të Malësisë së Gjakovës, më 31 dhjetor 1943, 1 e 2 janar të vitit 1944. Ai për herë të parë prononcohet për opinion lidhur me këtë ngjarje, e cila nga shumë historian u vlerësua historike, por e cila nga qarqe të ndryshme gjatë kohëve ishte edhe e kontestuar.Intervista u botua në gazetën “ Kosova Sot” në numrin e Vitit të Ri 2000)

 –z. Hoxha, a mund të na thoni diçka më konkretisht për qëllimin e mbajtjes së kësaj konferenceje?

 -“Eshtë koha kur po hynim në vitin e tretë të LNÇ-së dhe lufta kishte marrë hov në Jugosllavi, në Shqipëri dhe në vende të tjera të Evropës, pra edhe në Kosovë. Në disa rajone ishin formuar njësi të dukshme ushtarake. Në Kosovë kishin vepruar dhe po vepronin arradhat partizane “Zejnel Hajdini”, “Emin Duraku”, çeta partizane “Bajram Curri”, njësi dhe grupe guerilesh nëpër qytete e në disa katunde. Populli ynë me interesim të madh e ndiqte veprimtarinë e këtyre njësive,, si dhe luftën e njësiteve partizane më të mëdha që në gjeresi kishin depërtuar me influencë në popull dhe që populli luftën e tyre kishte filluar t’a kuptojë dhe t’a merrte edhe si luftë të veten vendimtare kundër bandave ushtarake fashiste. Kishin filluar të çliroheshin rajone të ndryshme në Shqipëri e në Jugosllavi. Thuajse, e tërë Malësia e Gjakovës ishte gjysmë e çliruar. Disa këshilla nacionalçlirimtare të vendeve I kishin forcuar pozitat e veta dhe dita-ditës po rriteshin e masovizoheshin.Lidhjet e Komitetit Krahinor, ishin vënë bukur në këmbë të veta me Komitetin Qëndror të PKJ-së dhe me Komitetin Qëndror të PKSH-së. Së këndejmi ndihej nevoja që të mbahej një Konferencë, ku do të merrnin pjesë burrat e zgjedhur, të cilët do të analizonin të arriturat e deriatëhershme, që do të shtronin nevojën për forcimin sa më të gjerë të aktiviteteve të njësiteve partizane dhe të këshillave NÇ locale, që ishin formuar nëpër qytete, si dhe bukur do katunde të Kosovës. Ndihej nevoja e pjesëmarrjes sa më të gjerë të masave popullore në këtë luftë, e cila luftë nuk duhej të mbetej vetëm barrë e komunistëve, por të bëhej barrë e patriotëve të tjerë dhe e masave të gjera popullore. Me një fjalë, qëllimi ishte që të forcohej e të zgjerohej sa më shumë LNÇ-ja.

Që të arrihej kjo gjë lypsej një analizë sa më e gjerë dhe e përgjithshme e LNÇ-së që ishte zhvilluar deri atëherë në Kosovë. Kërkohej po ashtu edhe analizë e tërë e Luftës së Dytë Botërore e Koalicionit Antifashistë kundër forcave hitleriane. Kapitulimi i Italisë fashiste e shtroi edhe më shumë nevojën e një analize të tillë dhe formulimin e detyrave të reja të forcave ushtarake të Koalicionit Anglo-Amerikano-Sovjetik të luftërave NacionalÇlirimtare të vendeve të Evropës. Ky, pra, me fjalë të shkurtëra ishte qëllimi kryesor i mbajtjes së një Konference të tillë në Kosovë siç ishte ajo e Bujanit”.

-Çfarë thuhej në Rezolutën e Bujanit?

-“Konferenca zgjati tri ditë. Në sallën ku mbahej mbledhja e që ishte e stolisur me flamurin kombëtar shqiptar, atë jugosllav, pastaj amerikan, anglez e sovjetik, u paraqitën analiza të situatës politike ushtarake në bazë të rezolutave të arritura dhe të situatës së krijuar. Në përfundim të Konferencës u aprovuan këto vendime: U dha komunikata drejtuar popullit për mbajtjen e konferencës, u hartua një apel thirrje drejtuar popullit të Kosovës që të marrë pjesë më aktive në mënyrë më të gjerë për një luftë, që çonte kah shkatërrimi i forcave të okupatorit, u thirrën kosovarët që të krijojnë gjatë luftës një solidaritet sa më të gjithanshëm me forcat ushtarake e politike të Koalicionit Anglo-Amerikano-Sovjetik kundër forcave fashiste gjermane, u thirrën popujtë e Kosovës që ta forcojnë edhe më shumë vëllazërimin e bashkimin ndërmjet tyre dhe ta forcojnë këtë vëllazërim me popujtë e Jugosllavisë, të Shqipërisë, të Evropës dhe më gjerë. Ky, pra ishte apeli ose proklamata drejtuar popujve të Kosovës, që t’i bashkohen kësaj lufte të përgjithshme botërore dhe të bëhen pjesë e bashkëpunimit me ta në luftë kundër nacizmit. Përveq kësaj, njëkohësisht u formulua dhe iu drejtua popullit Rezoluta e Konferencës së Bujanit me të cilën haptazi shtrohej vendimi dhe dëshira largëpamëse, si dhe kërkesat vitale të popullit të Kosovës. Në këtë Rezolutë shkurtazi thuhej edhe kjo:

“Kosova është një krahinë ku shumica e popullsisë janë shqiptarë, dhe si gjithmonë, ashtu edhe tashti dëshirojnë që të bëhen të bashkuar me popullin shqiptar, e kjo donte të thoshte që shqiptarët në këtë luftë që po marrin pjesë duke iu përmbajtur parimeve të Kartës të Atlantikut, dëshirojnë njëkohësishtë që me luftë kundër fashizmit, pos lirisë, të fitojnë edhe të drejtën e vetëvendosjes. Qëllimi i kësaj ishte që në kokat kosovare të rrënjoset se çdo popull ka të drejtë të vendosë për fatin e vet dhe me pajtimin e të gjithëve secili t’i bashkohej amës së vet kombëtare. Kjo gjë vlente edhe për të tjerët që tu bashkoheshin amëve të veta kombëtare. Ky ishte pra një parim që shumica dërmuese e popujve pjesëmarrës të luftës kundër fashizmit, e që pajtohej me Kartën e Adriatikut, ta fitojnë dhe ta realizojnë me përpikëri të drejtën e vetëvendosjes.

Për këtë gjë Milovan Gjillas i shkruan letër udhëheqësisë së Kosovës, duke shtuar se “ky parim heret është vënë në rend dite”. Një pjesë e udhëheqësve të Kosovës e pranoi kritikën se ndoshta mund të jetë heret, por nga ky vendim ajo udhëheqësi kurr nuk hoqi dorë. Konferenca në mbarim u dërgoi përshëndetje luftarake dhe u shprehi simpati miqësore udhëheqësve si të këtyre shteteve, si dhe Marshalit Tito dhe gjeneralit Enver Hoxha.

-A kanë qenë të informuar Komiteti Qëndror iPKJ-së dhe Komiteti Qëndror i PKSH-së, për përgatitjen e konferencës?

-“ Jo. I tërë preokupimi i ynë ka qenë që konferencën ta mbajmë sa më shpejt dhe sa më mirë. Pa na diktuar askush me mbarimin e konferencës, të gjitha materialet ua kemi dërguar të dyja këtyre komiteteve, të bindur se vendimet tona janë të drejta dhe se ato do të përshëndeteshin nga populli dhe udhëheqësia. Njëkohësisht kemi caktuar edhe dy delegatë, nënkryetarin e konferencës, Pavle Joviqeviq dhe Zekiria Rexha, anëtar i kryesisë. Të dy këta shokë kanë pasur për detyrë të shkojnë në Jajce, që ta njoftojnë Titon me rrjedhën dhe vendimet e konferencës. Njëkohësisht të gjitha materialet i janë dërguar Enver Hoxhes, Milladin Popoviqit dhe Svetozar Vukmanoviq – Tempo në Tiranë, si dhe të gjitha organizatave të partisë dhe këshillave NÇ të Kosovës. Nga këta të tre nuk ka pasur vërejtje mbi Bujanin, ndërsa vërejtja e Gjillasit arriti vonë, në qershor të vitit 1944. Unë isha i kënaqur që konferenca u krye me sukses, pasi që aty u u përshëndeta me pjesën më të madhe të delegatëve të cilët u larguan nga Bujani. Unë u ktheva në Gri, ku ndodhej Shtabi”.

-A është përkujtuar Bujani përherë dhe njësoj në këto 57 vjetët e kaluara?

-“Po! Ne Bujanin gjithmonë e kemi kujtuar si festë, si mbledhje me rëndësi historike për tërë Kosovën. S’ka pasur probleme në këtë drejtim. Konferenca e Bujanit është datë historike për popullin e Kosovës dhe jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët si dokument e festë e jashtëzakonshme me vlerë, edhe si një pranim i Luftës Nacional Çlirimtare, si një dokument që edhe populli shqiptar i Kosovës ka marrë pjesë në këtë luftë dhe ka derdhur gjakë për liri e pavarësi. Ka pasur dhe do të ketë edhe tash e pas, takime të rëndësishme sa të jetë gjallë Kosova, dhe Kosova gjallë do të ngelë me qindra vite sikurse vlerën që ka Lidhja e Prizrenit dhe vet populli i Kosovës. Sikur që ka pasur vlerën e vet Jajce, për popujtë e Jugosllavisë, ashtu për ne së bashku ka pasur Bujani. Për ne është krenari e madhe mbajtja e Konferencës së Bujanit e nesër e më vonë trashigimtarët tanë do ta vlerësojnë dhe do t’i japin vendin e merituar. Figurat politike që e kanë organizuar dhe që kanë marrë pjesë në Konferencën e Bujanit, po ashtu do të ngelin në kujtesën e popullit tonë si patriot të vërtetë, si burra që kanë sakrifikuar jetën e vet, familjen dhe pasurinë e vet për lirinë e popullit të vet. LNÇ-ja ka qenë detyrë patriotike se si nuk duhesh të jesh rob i askujt, sesi duhesh të jesh zot i vetvetes në tokën tënde. Kështu e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë edhe luftën e kaluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër kriminelëve të Milosheviqit dhe kasapëve të tij gjakësor…”(E përgaditi: E.Dujaka)./21Media

Back to top button