Dua Lipa e vendos Kosovën në hartë me festivalin e muzikës

Dua Lipa e vendos Kosovën në hartë me festivalin e muzikës

Edhe pse tashmë festivali “Sunny Hill” ka përmbyllur edicionin e sivjetmë, vazhdon të jetë temë ndër kryesoret në showbizin ndërkombëtar. Shumë portale të njohura cituan Kosovën dhe disa pjesë të historisë së saj, në shkrimet e tyre për festivalin.

Këtë herë portali holandez Nos.nl, i dedikoi një shkrim të gjatë festivalit dhe organizatores Dua Lipa.

Sipas tyre, Dua e ka vendosur Kosovën në hartë me festivalin e muzikës.

Teksa përmendin pjesëmarrjen e yjeve të famshëm, portali tregon se Kosova është një ndër vendet më të varfra në Evropë. Poashtu shkruajnë se është frustuese që njerëzit ndihen të izoluar, pasi nuk kanë të drejtën të udhëtojnë pa viza.

Shkrimi i plotë i Nos.nl:

Dua Lipa e vendos Kosovën në hartë me festivalin e muzikës

Fiona është 15 vjeçe, së bashku me shokët e saj po pret në rend për të hyrë në festival. Për herë të parë në jetë do të ndjekë për së afërmi yjet ndërkombëtare të popit. “Këto janë tri ditët më të lumtura të jetës sime” thotë ajo.

Fiona jeton në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Idhulli i saj më i madh, Miley Cyrus, do të performojë në Sunny Hill Festival. Një rast unik për këtë shtet të vogël të Ballkanit, meqë në përgjithësi pak artistë ndërkombëtar janë të pranishëm këtu.

Është ëndërr e bërë realitet për Fionën. “Nuk mund ta besoja kur e kam parë në Instagram se Miley do të vijë. Me byzylykun rozë të festivalit në dorë, Fiona hynë brenda për tu afruar tek skena.

“Ishte ëndrra ime”

Rinia kosovare duhet të falënderoi një tjetër yll botëror për këtë festival: pop këngëtaren britanike-kosovare Dua Lipa, e cila nuk ka harruar rrënjët e saj.

“Kur jetoja në Prishtinë, ka pasur pak artistë ndërkombëtar që kanë ardhur këtu për të performuar dhe krejt çka doja ishte të shkoja nëpër koncerte” thotë Lipa në një intervistë për NOS. “Fakti që atë përvojë tash mund ta sjellë në Kosovë, është ëndrra më e madhe e bërë realitet. Jam shumë e lumtur dhe falënderuese që mund ta bëjë këtë për vendin tim. “

Frustrimi i madh

Lipa lancoi festivalin e muzikës vitin e kaluar. Atëherë, ajo ishte artistja kryesore. Kësaj here ajo ka ftuar miqtë e saj. Krahas Miley Cyrus, në Kosovë kanë ardhur Calvin Harris dhe reperi Gashi.

Kosova është një ndër shtetet më të varfra në Evropë. Shkalla e papunësisë është e lartë dhe ka bërë që shumë njerëz të emigrojnë në shtete tjera, mbi të gjitha rinia që sheh pak mundësi për të ardhmen këtu. Kosova është po ashtu një prej vendeve të fundit në Evropë për të cilën udhëtimi pa viza në zonën Schengen është i pamundur. Është diçka shumë frustuese, njerëzit ndihen të izoluar dhe të përjashtuar.

Shoferët e taksive

Dua Lipa ka lindur në Londër, pasi që prindërit e saj u vendosën atje në fillim të viteve 90. Kur ishte 11 vjeçe ata u kthyen tek familja e tyre në Kosovë. Festivali Sunny Hill i Lipës ka marrë emrin sipas lagjes ku ajo ka jetuar, Bregu i Diellit në Prishtinë. Është lagjja ku Lipa ka kaluar vitet e adoleshencës para se të kthehej në Londër për te filluar karrierën si muzikante.

Për një kohë të shkurtë Lipa u shndërrua në një yll me adhurues në mbarë botën. Por adhuruesit me të mëdhenj që nga momenti i parë janë në Kosovë. Në kafene dhe restorane dëgjoni muzikën e saj ndërsa shoferët e taksive ja ngrisin zërin radios nëse njëri nga hitet e saj dëgjohet.

“Në hartë”

“Asgjë nuk e promovon më mirë vendin se Dua” thotë kryetari i Prishtinës në hapje të festivalit. “Kur Miley Cyrus paralajmëroi se do të vinte në Kosovë, fansat e saj në Instagram pyesnin se “ku është ky vend”. “Përmes këtij festivali Dua na ka vendosur në hartën botërore.”

“Dua Lipa është model për ne” thotë Benjamin Eder (28), i cili së bashku me shokët e tij ka ardh në festival. Është nga Kosova, mirëpo jeton në Austri. Në verë kthehet gjithmonë në Kosovë për të vizituar familjen e tani edhe për të ndjekur këtë festival. Ai është i lumtur që Kosova po njihet për të mire. “Shumë njerëz mendojnë se këtu ka rrezik, por siç e shihni këtu nuk ka luftë më, nuk ka armë, vec dashuri.”

Dua Lipa nuk është i vetmi yll i popit me rrënjë kosovare. Këngëtaret Rita Ora, Bebe Rexha dhe Ava Max janë emrat e tjerë. Sipas Benjaminit, nuk është rastësi që Kosova ka kaq shumë yje botërore të muzikës. “Ky vend është i vogël dhe katër nga artistët tonë përbëjnë listat e hiteve botërore. Këtu ka shumë talent” thotë ai. “Shumica janë femra, për çka jam shumë krenar.”
Kosovarët nuk mund ta ndjekin festivalin falas.

Organizatorët thonë se çmimi i biletës së festivalit do të mbetet jo i shtrenjtë. Një biletë për tri ditë kushton rreth 50 euro. Megjithatë ka ankesa sa i përket çmimit, meqë rroga mesatare mujore është 400 euro, andaj për disa njerëz kjo mund të jetë e shtrenjtë.

Privilegji

Të hyrat nga shitja e biletave janë të dedikuara për fondacionin që Lipa ka themeluar më herët. Ky fondacion ka mbështetur OJQ-të lokale. Vitin e ardhshëm fillon punën shkolla e muzikës, Sunny Hill Academy, ku të rinjtë do të mund të zhvillojnë talentin e tyre.

Babai i Lipës, Dukagjin Lipa, është forca shtytëse prapa festivalit dhe fondacionit. Ai është krenar që vajza e tij nuk ka harruar prejardhjen. Të jesh yll botëror nënkupton shumë punë, por njëkohësisht edhe privilegj. Dhe këtë është mirë ta ndash me të tjerët.” Kështu e ka rritur të bijën, thotë ai. “Nëse je në një pozicion të ndihmosh, duhet ta bësh atë”./21Media