Poston foto me armë, policia i shkojnë në derë

Policia nuk e gjen armën me të cilën ishte fotografuar i dyshuari, por konfiskojnë një tjetër

Një person kishte postuar një fotografi në rrjetin social “Facebook” duke shtënë me armë zjarri të tipit AK-47, pas kësaj policia e ka intervistuar të dyshuarin.

Ngjarja sipas policisë ka ndodhur dje në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit.

I dyshuari ka deklaruar se armën e ka shitur dhe se nuk di gjë për blerësin. Por, policia gjatë bastisjes në shtëpinë e tij ka gjetur një armë tjetër.

“I dyshuari është intervistuar dhe i njëjti ka pohuar se armën e lartcekur e ka shitur dhe nuk ka njohuri për identitetin dhe adresën e personit që e ka blerë. Policia me urdhër të prokurorit ka bërë kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo nuk e ka gjetur armën e lartcekur, por ka gjetur dhe ka konfiskuar një pushkë M-48 me 23 fishekë”, thuhet në raportin e policisë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt./21Media

Back to top button