Kodi i ri i etikës, hyn në fuqi prej nesër

Kodi i ri i etikës, hyn në fuqi prej nesër

Kodi i ri i etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë, i përpiluar nga ekipi i prokurorëve holandezë në kuadër të projektit “Promovimi i Integritetit në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë”, do të hyjë në fuqi prej nesër.

Projekti u përmbyll gjatë ditës së djeshme dhe përmes një tryeze u diskutua mbi të arriturat dhe aktivitetet e tij.

Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Shtetit, shprehu kënaqësinë e tij që projekti i cili u pat iniciuar pas konsultimeve intensive me Ambasadën e Holandës rezultoi me sukses të plotë.

“Kemi kodin e ri të etikës për prokurorë, komentarin i cili derivon nga po ky kod dhe modulet për një sërë trajnimesh të dizajnuara nga ekipe të trajnerëve holandezë. Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë bashkëpunimin me partnerët tanë të besueshëm në mënyrë që të avancojmë më tej efikasitetin, efiçiencën si dhe transparencën e llogaridhënien”, tha Lumezi. Ambasadorja holandeze Gerrie Willems, porositi se pjesa më e rëndësishme e punës vjen në të ardhmen përmes zbatimit të plotë të reformave tashmë të iniciuara.

“Vetëm në këtë mënyrë ju do të siguroni qëndrueshmëri të reformave dhe përmirësime konkrete në fushën e integritetit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, për të mirën e juaj si prokurorë, por edhe për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Kjo do të ndihmojë në rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë “, tha diplomatja holandeze.

Ky projekt dyvjeçar që ofroi mbështetje teknike dhe ekspertizë për sistemin e drejtësisë u zbatua bashkërisht nga CILC, KDI dhe FOL.