Trajnimi do të zgjasë pesë javë

Trajnimi do të zgjasë pesë javë

Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioni përgjegjës i emergjencave i Republikës së Turqisë AFAD, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit, kanë filluar zbatimin e projektit “Zvogëlimi i rreziqeve nga tërmetet”. Ky projekt ka për qëllim mbajtjen e stërvitjeve shkollore me simulator për tërmete.

Sipas njoftimit të MPB-së, trajnimi do të zgjasë pesë javë, ndërsa gjatë tërë kësaj kohe automjeti me simulator nga Turqia do të qëndrojë në  Kosovë.

“Qëllimi i kësaj stërvitjeje shkollore është sensibilizimi, njohja dhe përgatitja e nxënësve, se si duhet të sillen dhe të  mbrohen në rastet e tërmeteve. Në kuadër të këtij ushtrimi janë paraparë të përshihen rajoni i Gjilanit në pesë komuna, rajoni Prishtinës në pesë komuna, rajoni i Mitrovicës në pesë komuna, Rajoni i Pejës në pesë komuna dhe rajoni i  Prizrenit në pesë komuna”, bëhet e ditur në njoftim.

Agjencia për Menaxhim të Emergjencave e Ministrisë së Punëve të Brendshme bën të ditur se vazhdimisht harton plane të ushtrimeve operative, me qëllim të parandalimit të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, për përgatitjen e qytetarëve në rast se vendi ynë mund të ballafaqohet me ndonjë fatkeqësi.