Nesër shfaqet premiera e "O moj Shqipëri"

Nesër shfaqet premiera e “O moj Shqipëri”

Baleti Kombëtar i Kosovës në kuadër të festimeve zyrtare me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, nesër do të shfaqë premierën “O moj Shqipëri”, nën koreografinë e Pëllumb Agalliut.

Për këtë premierë e cila është e treta e Baletit Kombëtar për këtë vit, u tha se pas një pune të madhe do të shfaqet nesër në mbrëmje, në Teatrin Kombëtar duke filluar nga ora 20:00.

Profesori Ahmet Brahimaj gjatë një konference për media, tha se janë në një pozitë jo të favorshme si Balet i Kosovës për shkak të mungesës së mjeteve, por koreografi Pëllumb Agalliu arriti të bëjë një punë të mrekullueshme.

“Me vënë në skenë me 27-28 balerinë për një kohë kaq të shkurtër nuk është lehtë. Gjithashtu, trupa e Barletit e ka bërë punën e vet më të mirë të mundshme, meqë nuk është prej shfaqjeve të lehta me luajt. Është një prej shfaqjeve që ka tempo shumë, do shumë dinamikë, do shumë lojë, do shumë kërcim, kështu që nuk ka qenë lehtë edhe për kondicion, edhe me mbajt në mend gjithë ato lëvizje, me i përcjell me muzikë, me i përcjell me emocion, do të thotë është punë shumë e madhe”, tha ai.

Koreografi Agalliu dha detaje për poemën koreografike që do të shfaqet.

“Është ndarë në tri pjesë, pjesa e parë është Shqipëria e lumtur, pjesa e mesme është Shqipëria gjithmonë na kanë copëtuar dhe pjesa e tretë është çlirimi, formimi i dal nga gjiri i popullit, Ushtrisë Çlirimtare dhe pjesa që është si mbyllje, ndihma që na ka dhënë NATO në çlirimin e plotë”, tha ai.

Agalliu tha se ka besim në trupën e Baletit, pasi kjo e ka treguar disa herë që me talentin dhe mundin e tyre japin shfaqje dinjitoze.