QKK: Një moment historik për kinematografinë kosovare

QKK: Një moment historik për kinematografinë kosovare

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmi ‘Exil’ nga Visar Morina pati premierë të jashtëzakonshme dhe u prit me vlerësim të lartë nga publiku dhe kritikët në Sundance, fesivalin më të madh të filmave të pavarur në SHBA. “Ky është një moment historik për filmin dhe kinematografinë kosovare”.

Filmi rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.

“Po ta shikosh në përgjithësi, unë jam vetë i huaj dhe edhe pse kam shtetësi gjermane; dhe nuk ndodh në asnjë mënyrë që të jesh i huaj në Evropë e të mos kesh ndonjëherë mendime si të Xhaferit”, ka thënë regjisori, i cili u arratis në Gjermani me familjen e tij kur ishte 15 vjeç gjatë sundimit të terrorit në Kosovë në kohën e Slobodan Miloshevicit. “Disa nga detajet e filmit vijnë nga përvoja ime dhe e familjes sime”.

‘Exil’-i është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRW, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board.

“Exil”-i poashtu sjell një kastë briliante të aktorëve, si: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Ameli Kabashi./21Media