Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka takuar sot Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka takuar sot Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu

Ky takim vjen një ditë pas inspektimit të objekteve të Teatrit Kombëtar dhe Bibliotekës Kombëtare ku ka parë nga afër problemet që kanë këto dy institucione.

Në takim u diskutua për problemet e fundit me të cilat janë përballur dy institucionet e kulturës dhe ministri Gashi e kryeshefi Abdullahu u dakorduan për të koordinuar veprimet për eliminimin e problemeve që kanë këto dy institucionet në objektet e tyre.

Ministri Gashi e falënderoi menaxhmentin e ujësjellësit për reagimin e shpejtë dhe gatishmërinë e treguar.

“Dua të shfrytëzoj rastin t’u falënderoj për intervenimin e shpejtë që keni bërë në eliminimin e ujërave gjatë ditës së sotme”, tha ai.

Ministri po ashtu kërkoi nga drejtuesit e kompanisë së ujësjellësit që të bashkërisht të zhvillojnë një projekt për eliminimin e rrezikut që shkakton depërtimi i ujërave në këto dy institucione kombëtare të kulturës, me ç’rast të dy u dakorduan të harmonizojnë veprimet.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet e përkushtuar që të ndajë buxhet shtesë për zgjidhjen e kësaj problematike”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi.

Ndërsa, kryeshefi i kompanisë, Ilir Abdullahu, shfaqi gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” që bashkërisht me institucionet, ministrinë dhe komunën t’i koordinojnë veprimet dhe të sanojnë gjendjen e tanishme.

Palët gjithashtu presin veprime konkrete edhe nga ana e Komunës së Prishtinës që të bashkëpunojë për zgjidhjen e këtyre problemeve.