Vitamina D ndikon në procese të shumta në organizëm

Vitamina D ndikon në procese të shumta në organizëm

Kohëve të fundit kanë plasur polemika në qarqet e ekspertëve nëse është e dobishme apo e dëmshme përdorimi i preparateve për rrezitje.

Vitamina D është jashtëzakonisht e rëndësishme në periudhën derisa formohet masa kockore. Sasia e vitaminës D dhe aktiviteti i përshtatshëm fizik ndihmon që në rini të shtohet masa kockore, e cila në vitet e mëvonshme ul rrezikun nga krijimi i osteoporozës.

Vitamina D është përgjegjës edhe për një numër të madh të funksioneve në organizëm. Vitamina D krijohet nën ndikimin e rrezeve të diellit dhe për këtë arsye mjekët në gjithë botën tërheqin vërejtjen për preparatet me faktor të lartë mbrojtës, duke pohuar se kremi dhe mjetet tjera në lëkurë krijojnë barrierë dhe pamundësojnë sintetizimin e vitaminës D.

Mjekët thonë se vitamina D ndodhet në sasi të konsiderueshme në vajin e peshkut, qumësht. Njerëzit nuk marrin sasi të mjaftueshme të kësaj vitamine dhe mungesën e saj duhet kompensuar përmes përdorimit të tabletave me vitaminë D, natyrisht pas konsultimit me mjekun.

Vitamina D ndikon në procese të shumta në organizëm. Para se gjithash është e domosdoshme për zhvillimin e eshtrave dhe dhëmbëve. Nëse mungon në fëmijëri, atëherë mund të vijë deri te paraqitja e rakitit. Fëmijët e prekur me rakit nuk kanë eshtra të fortë, andaj lajmërohen deformime të ndryshme të boshtit kurrizor.

Te personat e moshës madhore mungesa e kësaj vitamine manifestohet përmes së osteomalacisë, sëmundje e cila paraqet zvogëlimin e mineraleve të eshtrave.

Po ashtu, mungesa e vitaminës D shkakton krijimin e osteoporozës. Kjo lloj vitamine është e rëndësishme edhe për mbajtjen e fuqisë së muskujve, sidomos te të moshuarit të cilët përgjatë viteve humbin masën kockore.

Vitamina D ka rëndësi të madhe dhe për sistemin e imunitetit, pasi është i nevojshëm në krijimin e disa proteinave, të cilat shërbejnë për shkatërrimin e baktereve.

Niveli i ulët i vitaminës D shton rrezikun nga forma të ndryshme të kancerit, si dhe sëmundjeve kardiovaskulare dhe depresionit. Është i njohur fakti se nëse vitamina D është në nivel të mjaftueshëm në organizëm, zvogëlon rrezikun nga kanceri në zorrën e trashë dhe është dëshmuar se ul rrezikun nga paraqitja e kancerit të prostatës dhe në gji. Por, ka indikatorë se vlerat e tepërta të kësaj vitamine në organizimin tonë mund të ndikojnë në krijimin e kancerit të pankreasit, andaj marrja e kësaj vitamine nuk duhet tepruar përmes tabletave, thonë mjekët.

Mjekët thonë se rrezitja dy herë në javë nga 30 minuta pa kremin me mbrojtje kundër diellit, mjafton për të marrë sasinë e nevojshme të vitaminës D në trupin tonë, por nëse përdoret kremi për rrezitje, atëherë duhet qëndruar më shumë në diell për të marrë sasinë e nevojshme të vitaminës D.

Personat me lëkurë të bardhë iu nevojitet më pak kohë për të siguruar sasinë e mjaftueshme të vitaminës D, derisa më të moshuarve për shkak të kapaciteteve të zvogëluara, iu nevojitet më tepër qëndrim në diell për të marrë këtë lloj vitamine.