Presidenca nuk përjashton mundësinë që t’i drejtohet Kushtetueses për Kurtin

Presidenca thotë se është e obliguar të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm

Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka përjashtuar mundësinë që në kuadër të funksionalizimit të institucioneve t’i parashtrojë ndonjë kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Në një përgjigje me shkrim për KP, zyra e të parit të shtetit thonë se ata do të jenë të obliguar të ndërmarrin çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur detyrimin kushtetues të tyre.

Përgjegjësia kushtetuese e presidentit është funksionalizimi i institucioneve. Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarr çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Janë bërë një javë që kur ka qenë takimi konsultativ mes fituesit të zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti dhe presidentit, Hashim Thaçi. Ky i fundit përmes një letre i ka kërkuar Kurtit që partia e tij të ofrojë mandatarin për kryeministër.

Në cilindo rast të pranimit ose refuzimit të propozimit të kandidatit për kryeministër, luteni që të më njoftoni sa më shpejt, sipas premtimit tuaj nga takimi ynë”, thuhet në letrën e presidentit.

Derisa sot, Kurti përmes një letre ka adresuar akuza karshi presidentit, duke e cilësuar si të njëanshëm.

Edhe pas tre muajve që kur kanë përfunduar zgjedhjet, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka arritur të nënshkruaj marrëveshjen bashkëqeverisëse me LDK-në.

Letër shkëmbimi mes presidentit, Hashim Thaçi dhe pretendentit për kryeministër, Albin Kurti po konsiderohen nga njohësit e Kushtetutës si manovrime politike të njëri-tjetrit. Ata thonë se presidenti nuk duhet të bëj presion me anë të letrave, pasi sipas tyre nuk ka asnjë bazë kushtetuese tjetër përveç të pres marrëveshjen potenciale, megjithatë, theksojnë se kjo nga kandidati për kryeministër nuk duhet të shkojë në pakufi.

Profesori universitar Mazllum Baraliu për KP, tha së përkundër vonesave, ende s’kanë hyrë afatet kohore kushtetuese për presione, por shton se edhe presidenti e ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mbarëvajtjen e institucioneve.

Mund të jetë edhe presion por presidenti bazë kushtetuese për të vepruar ndryshe nuk ka përveç që të pres që këta të bëjnë marrëveshjen. Nëse nuk e bëjnë marrëveshjen duhet jo në pakufi, por të ketë një racionalitet në veprim dhe në afate. Mandatari potencial të dëshmojë ka apo s’ka marrëveshje”, thotë ai.

Krahas saj, Baraliu thotë se letra e presidentit Thaçi në njërin opsion mund të shihet edhe si qëllim mire për themelimin e qeverisë sa më parë.

Ndërsa, njohësi tjetër i Kushtetutës, profesori universitar, Riza Smaka thotë se presidenti i vendit nuk është i autorizuar për të bërë presion, po shton se është detyrë e tij që të bëjë çmos që të emërohet mandatari për kryeministër.

Back to top button