Presidenti deklarohet rreth takimit të thirrur nga Veseli

Thaçi shprehet se askush nuk duhet të hezitojë që të marrë përgjegjësi në këtë fazë përfundimtare të dialogut

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar se e mbështetë takimin e sotëm të thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Thaçi është shprehur përmes një statusi në facebook se i vlerëson përpjekjet e Veselit për koordinimin ndërinstitucional dhe atë ndërmjet grupeve parlamentare për forcimin e unitetit politik.

“E mirëpres dhe mbështes takimin e sotëm koordinues për dialog, si një veprim i domosdoshëm për bashkërendimin e hapave në fazën finale të dialogut. Kosova me vështirësi po e ndërton unitetin e domosdoshëm në çështjet e interesit shtetëror. Mirëpo, nëse do të jemi të bashkuar, ne do ta përmbyllim me sukses edhe këtë kapitull të shtetndërtimit. Si President i Republikës së Kosovës, vlerësoj lart përpjekjet e kryeparlamentarit Veseli për koordinimin ndërinstitucional dhe atë ndërmjet grupeve parlamentare për forcimin e unitetit politik”, ka shkruar Thaçi në facebook.

Pavarësisht shkaqeve të mundshme, presidenti është shprehur se ikja nga përgjegjësia politike dhe bojkotimi i këtij procesi është në kundërshtim me interesin shtetëror dhe atë të partnerëve tanë strategjikë.

“Askush nuk duhet të hezitojë që të marrë përgjegjësi në këtë fazë përfundimtare të dialogut, i cili pritet të përfundojë me një marrëveshje paqësore dhe gjithëpërfshirëse, që Kosovës do ia sigurojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE”, ka shkruar më tutje Thaçi.

Pas takimit të thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli me ekipin negociator, Veseli dhe bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti kanë dalur në një konferencë për medie. Ndër të tjera, Veseli ka thënë se ka vetëm një vendimmarrje, ajo sipas tij, është Kosova e pavarur e sovrane, Kosova e pacenuar, njohja e Kosovës nga Serbia dhe ulësja në Kombet e Bashkuara.

Në takimin e sotëm të thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli munguan dy partitë opozitare, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe presidenti Hashim Thaçi./21Media 

Back to top button