Presidenti emëron Këshillin Organizativ për shënimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë, vitit jubile për Republikën e Kosovës

Presidenti emëron Këshillin Organizativ për shënimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë, vitit jubile për Republikën e Kosovës

Për dallim nga viti i kaluar, ku përvjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës u festua ftohtë, sivjet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës, ky jubile i parë i pavarësisë së Kosovës pritet të ketë festë më të madhe.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tashmë ka nënshkruar edhe vendimin për emërimin e Këshillit Organizativ për shënimin e dhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës 17 shkurt 2008 – 17 shkurt 2018.

Ky këshill organizativ, i cili kryesohet nga Presidenca, përbëhet edhe prej Zyrës së Kryetarit të Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe Protokolli i Shtetit. Zyrtarë të Presidencës për kp tregojnë se tashmë e kanë hapur konkursin publik edhe për logon dhe sloganin nën të cilin do të organizohet çdo ngjarje manifestive për këtë vit jubile të pavarësisë.

Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi, i cili është edhe kryesues i Këshillit Organizativ, thotë se tani janë në fillet e para të organizimit dhe manifestimi do të zgjerohet edhe nëpër komunat e Kosovës, duke bërë kështu që çdo ditë në tërë muajin shkurt të ketë ngjarje me të cilat do të shënohet dhjetë vjetori i pavarësisë.

“Tash jemi në fillet e para të organizimit dhe jemi duke diskutuar me të gjitha palët e përfshira për programet që do të organizohen gjatë tërë këtij muaji të pavarësisë, përfshirë këtu edhe ditën e 17 shkurtit, e cila do të ketë program të veçantë. Merr kohë ky organizim dhe ende nuk i kemi konkretizuar, mirëpo fillimisht, meqë është hapur edhe konkursi publik, apelojmë tek të gjithë krijuesit që të aplikojnë me idetë e tyre, me dizajnet e tyre, për logon dhe sloganin e vitit jubile të pavarësisë”, ka thënë Arifaj.

Sipas tij, ky vit i pavarësisë është shumë i veçantë për shtetin e Kosovës dhe institucionet do ta bëjnë më të mirën e mundshme që të kemi përfaqësim dhe promovim sa më të mirë edhe jashtë Kosovës.

“Forcimi i identitetit shtetëror brenda dhe forcimi i subjektivitetit shtetëror jashtë do të jenë në fokus të çdo organizimi. Kurse, për ditën e pavarësisë do të ftohet edhe shumë mysafirë, figura ndërkombëtare që kanë kontribuar për pavarësinë e Kosovës, pra protagonistët ndërkombëtarë të pavarësisë”, ka thënë Arifaj.