Thaçi: Të graduarit do të punojnë që ushtrinë tonë ta inkuadrojnë në NATO

Thaçi: Të graduarit do të punojnë që ushtrinë tonë ta inkuadrojnë në NATO

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka graduar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Me këtë rast presidenti ka uruar Gjeneralët për këtë Gradim, duke vlerësuar punën e tyre në transformimin e FSK-së në Ushtri.

“Bashkë me pjesëtarët e tjerë të FSK-së të sapo graduarit jam i bindur se pas transformimit të FSK-së do të punojnë që forcën tonë, ushtrinë tonë ta inkuadrojnë në NATO dhe të jenë kontribuues në ruajtjen e paqes në rajon dhe më tej. Të graduarve u uroj suksese më tej”, tha Thaçi.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, duke u mbështetur në kompetencat e tij kushtetuese e ligjore dhe në pajtim me rekomandimin e përbashkët të komandantit të FSK-së, presidenti bën gradimin e dy gjeneralbrigade në gradën gjeneralmajor dhe pesë kolonelëve në gradën gjeneralbrigade.

Gjeneralbrigade Bashkim Jashari dhe gjeneralbrigade Zymer Halimi janë graduar në gjeneralmajorë.

Gjeneralbrigade Enver Cikaqi është emëruar në pozitën Komandant i Forcave Tokësore dhe Zëvendëskomandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi, po ashtu, ka graduar edhe pesë kolonelë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në gradën gjeneralbrigade.

Kolonele Irfete Spahiu është graduar në gjeneralbrigade dhe është emëruar Komandante e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në gjeneralbrigade është graduar edhe koloneli i deritashëm Skënder Zhitia, i cili është emëruar në pozitën Drejtor i Departamentit të Personelit në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Edhe kolonel Naim Haziri është graduar në gjeneralbrigade dhe është emëruar në pozitën Komandant i Brigadës së Mbështetjes Operacionale në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në gjeneralbrigade janë graduar edhe kolonelët Xhevahir Geci dhe Fadil Hadergjonaj.

Gjeneralbrigade Xhevahir Geci është emëruar në pozitën Zëvendëskomandant i Komandës së Forcave Tokësore në Forcën e Sigurisë së Kosovës, kurse gjeneralbrigade Fadil Hadergjonaj është emëruar në pozitën Oficer Shtabi i Kabinetit të Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës./21Media