Presidenti i dorëzon sot dokumentet e dialogut

Kështu ka paralajmëruar Thaçi javën që shkoi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot pritet të takojë Ekipin Negociator për bisedimet Kosovë-Serbi, për t’iu dorëzuar dokumentet zyrtare që ndërlidhen me procesin e deritanishëm negociator në Bruksel. Kështu ka paralajmëruar presidenti Thaçi javën që shkoi, i cili ka thënë se të hënën do t’ua dorëzojë informacionet e përgjithshme për periudhën e deritanishme të bisedimeve.

Megjithatë, ai u ka bërë të qartë bashkëkryesuesve se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja.

“Unë në vazhdimësi i kam informuar të dy bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator për të gjitha temat që janë diskutuar deri më tani në Bruksel, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, ua kam bërë të qartë se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja. Kjo është e natyrshme, sepse ne jemi në fazën fillestare të negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse. Përkundër kësaj, sapo ta mbaroj pushimin, të hënën do të takojë Ekipin Negociator dhe do ua japë edhe në formë të shkruar informacionet e përgjithshme për periudhën e deritashme të bisedimeve. Në këtë proces historik, ne do të punojmë së bashku dhe në koordinim me njëri-tjetrin”, kishte thënë presidenti Thaçi.

Ndryshe, Ekipi Negociator patën kërkuar që këto dokumentacione t’i kenë të premten e kaluar, por për shkak se presidenti ishte me pushime, ai ka shtyer takimin për ditën e sotme.

Më 8 janar, në Bruksel ekipi negociator është takuar me shefen e Politikës së Jashtme, Frederica Mogherinin. Ekipi negociator i kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, pas takimit me shefen për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini, ka deklaruar se është prezantuar delegacioni dhe janë paraqitur kërkesat e Kosovës. Në një prononcim për media bashkë-kryesuesi i delegacionit, Shpend Ahmeti ka thënë se ata i bënë të qartë Mogherinit cili është roli i këtij delegacioni dhe siç ka thënë ai i shpreh gatishmërinë të diskutojmë temat e hapura me Serbinë.

Ahmeti në një prononcim për medie ka thënë se kushti primar është njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Back to top button