Me 15 qershor skadon mandati i EULEX-it

Me 15 qershor skadon mandati i EULEX-it

Presidenti, Hashim Thaçi, ka dorëzuar sot tek autoritetet e BE-së letërkëmbimin me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, me të cilin përmbyllet mandati i deritashëm i EULEX-it.

Letrën e kanë pranuar Komandanti i Operacioneve Civile si dhe shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou. Përmbajtja e letrës është negociuar në mes palës kosovare dhe asaj të BE-së dhe parasheh përfundimin e mandatit ekzekutiv dhe reduktimin e rolit të EULEX-it në rol monitorues dhe këshillues në fazën e përmbylljes së misionit.

Presidenti Thaçi tha se “EULEX-i ka qenë mision i suksesshëm dhe nga kjo përvojë edhe BE-ja mund të nxjerrë mësime të rëndësishme për misionet e ngjashme në të ardhmen”. Mandati i misionit të EULEX-it skadon më 15 qershor 2018, kurse misioni i ardhshëm do të jetë i përqendruar në përmbylljen e transferimit të plotë të kompetencave tek organet e Kosovës, si dhe në përmbylljen e misionit.

Në shkurt të këtij viti, misioni ndërkombëtar për sundimin e ligjit, EULEX ka mbushë plot 10 vite të operimit në Kosovë. Ndonëse me një dekadë pune, nuk është theksuar ndonjë rast se drejtësia është vënë në vend nga ky mision. Besimi ndaj EULEX-it u zbehë edhe më shumë kohët e fundit, për shkak të disa deklaratave nga ish-gjyqtarë të EULEX-it se ky është një mision i korruptuar dhe politk.

Deklaratat e tilla kanë nxitur në opinion idenë se këtij misioni nuk duhet më t’i vazhdohet mandati./21Media