"Besojmë që autoritetet spanjolle do të reflektojnë dhe do të dërgojnë me kohë garancën e kërkuar nga IHF-ja"

“Besojmë që autoritetet spanjolle do të reflektojnë dhe do të dërgojnë me kohë garancën e kërkuar nga IHF-ja”

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini ka përshëndetur vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, që ka bërë të qartë se flamuri dhe himni i Kosovës do të shfaqen në Botërorin e juniorëve në Spanjë, ose në të kundërtën Botërori do të mbahet në një vend tjetër.

IHF-ja të enjten përmes një letre ka njoftuar Federatën tonë që Spanja ka afat deri në fillim të qershorit të garantojë që flamuri dhe himni i Kosovës do të paraqiten në botërorin e juniorëve që gjatë korrikut mbahet në Spanjë. Nëse kjo garanci nuk ipet, atëherë IHF-ja do të zhvendos Botërorin U21 në një vend tjetër.

Kemi mbetur të befasuar kur në ceremoninë e shortit në vend të flamurit të Kosovës është paraqitur logoja e Federatës tonë. Natyrisht reagimi ynë ishte i menjëhershëm dhe në përputhje me diskriminimin që na është bërë. Nuk lejojmë që të trajtohemi në mënyrë jo të barabartë, përkatësisht që të diskriminohemi, dhe këtë ia bëmë të qartë IHF-së në letrën që ia dërguam menjëherë pas hedhjes së shortit. Dhe reagimi i IHF-së po ashtu erdhi shpejtë dhe ne përshëndesim vendimin e Federatës Ndërkombëtare që obligon Spanjën që të respektojë simbolet tona shtetërore. Kështu IHF-ja, ashtu si kemi qenë të bindur, është rreshtuar në anën e duhur, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjitha vendet që marrin pjesë në kampionatin botëror të juniorëve. Besojmë që autoritetet spanjolle do të reflektojnë dhe do të dërgojnë me kohë garancën e kërkuar nga IHF-ja dhe kështu ne do të mund të koncentrohemi në përgatitje për paraqitje historike në kampionatin botëror”, ka thënë presidenti Eugen Saraçini.