E mirëpret rolin e tij në dialogun Kosovë-Serbi

E mirëpret rolin e tij në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka realizuar sot një bisedë telefonike me Ambasadorin Richard Grenel të cilin dje Presidenti Donald Trump i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka emëruar të dërguar special për negociatat paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi ka mirëpritur emërimin e Ambasadorit Grenell si i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi si dhe rolin e shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Emërimi juaj shton konfidencën dhe besimin tonë në këtë proces dhe në mundësinë për të arritur një marrëveshje të paqes, përfundimtare, me Serbinë”, është shprehur presidenti Thaçi në këtë bisedë telefonike.

Po ashtu ai ka shtuar se emërimi i tij konfirmon përkushtimin e Trump për finalizimin e marrëveshjes Kosovë- Serbi.

“Ky është konfirmim i përkushtimit personal të Presidentit Trump që të arrihet një marrëveshje e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka përfunduar presidenti Thaçi.

Ndërsa, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se emërimi i Richard Grenell, si i dërguar i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, tregon përkushtimin e qeverisë amerikane për një përparim të shpejt drejt një të ardhme paqësore për rajonin.

Emërimin e  Richard Grenel të dërguar special për negociatat paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë e ka mirëpritur edhe Bashkimi Evropian. Lidhur me këtë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, ka thëne se BE punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

Richard Grenell nga Kalifornia, do të shërbejë njëkohësisht si i Dërguar Special Presidencial për Negociatat Paqësore të Serbisë dhe Kosovës, dhe si Ambassador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotëfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën Federale të Gjermanisë.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur qëkur Kosova ka vënë taksën 100% për prodhimet e importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar./21Media