Thaçi në Forumin Botëror Strategjik: Pa siguri s’ka as ekonomi të fuqishme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mysafir nderi në edicionin e 7-të të Forumit Botëror Strategjik, sot para rreth 1200 pjesëmarrësve nga dhjetëra shtete të botës ka folur për energjinë, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm

Presidenti Thaçi ka thënë se ekonomia amerikane është motor i ekonomisë globale, ndërsa politika amerikane është fanar udhëzues për politikën botërore.

Për aktivitetet e Forumit Botëror Strategjik, presidenti Thaçi ka thënë se ishin dy ditë interesante të debateve se si ta kontrollojmë ndryshimin dhe si të kemi rritje më të mëdha ekonomike.

Ai është shprehur krenar që për një kohë rekorde, pa marrë asnjë cent borxh, janë ndërtuar mbi 800 kilometra rrugë dhe autostrada, që është gjatësia e njëjtë e ndërtuar nga viti 1945 e deri në vitet e para të shekullit 21.

Në Forumin Botëror Strategjik, duke e marrë si shembull Kosovën, presidenti Thaçi foli edhe për përpjekjet e presidentit Trump dhe kongresit amerikan për gjetjen e një gjuhë të përbashkët në përpilimin e një Plani Nacional për Infrastrukturë.

Kreu i shtetit theksoi se nuk janë rritur as taksat, por thjeshtë janë bërë përpjekje që të mbyllen vrimat e zeza në sistemin e tatimeve, duke rritur të hyrat e tatimeve të rregullta dhe luftuar ekonominë gri.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për çështjen e energjisë, duke thënë se Kosova është shumë e pasur me thëngjill.

Ai ka thënë se Kosova nuk ka pritur dhe nuk ka kërkuar shumë solucione të komplikuara, duke mos lejuar kështu që rregulloret e tepërta, që shpesh nuk kuptohen as nga vetë draftuesit e tyre, ta ndalin.

Presidenti ka shtuar se shteti duhet të ketë rol të kufizuar, kurse aty ku është e mundur duhet punuar në premisa të Partneritetit Publiko-Privat.

Kreu i shtetit ka thënë se Kosova nuk do të ishte storje e suksesit pa ndihmën e miqve nga mbarë bota.

Duke i marrë si shembuj dy bulevardet kryesore në Prishtinë, atë me emrin e presidentit Klinton dhe tjetrin me emrin e presidentit Bush, presidenti Thaçi ka thënë se për popullin në Kosovë nuk ka republikanë apo demokratë, por ka vetëm amerikanë.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se pa siguri nuk ka as ekonomi të fuqishme.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky leksion vlen si për superfuqi, siç është Amerika, ashtu edhe për shtete të vogla si Kosova.

Fjalimi i plotë i Presidentit Hashim Thaci në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar.

Back to top button