Presidenti Thaçi propozohet si dëshmitar në rastin “Veteranët”

Propozimin për dëshminë e Presidentit e dha avokati Musa

Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës dhe ish-Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të UÇK-së mund të propozohet si dëshmitar në rastin gjyqësor lidhur me listat e veteranëve të luftës.

Propozimin për dëshminë e Presidentit e dha mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Shurdhaj, avokati Skender Musa.

Pëveç Hashim Thaçit, Musa propozoi që gjatë këtij procesi gjyqësor në cilësi të dëshmitarit të dëgjohen edhe komandantët e 7 zonave të UÇK-së, komandatët e brigadave, të bataljoneve dhe komandantët e Togut, emrat e të cilëve paralajmëroi se do t’i sjellë në seancën e radhës.

“Arsyeja pse unë e kam propozuar ish- Drejtorin e Drejtorisë politike të UÇK-së qëndron në faktin se ai ka qenë person i cili ka negociuar në transferimin e UÇK-së në TMK dhe ne mendojmë se ka pasur lista të ushtarëve të UÇK-së të cilët kanë mbetur në strukturën e TMK-së dhe pjesa tjetër  që ka kaluar në Civil”, tha avokati.

Ai shtoi  edhe një arsye tjetër pse Presidenti duhet të ftohet si dëshmitar në këtë gjykim.

“Arsyeja e dytë qëndron në faktin se ne konsiderojmë se është personi i cili ka arritur marrëveshje që ne lista të veteranëve të hyjnë edhe pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi, prandaj mendoj që këta persona të propozuar do të ndihmojnë në ndriçimin e kësaj çështje dhe do ti ndihmojë këtij procesi penal”, shtoi në fund Musa.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa, duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve. Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave, të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Arsyeja e një zvarritjeje të tillë sipas Gjykatës është se nëse lejohet masa e sigurisë vendimi duhet t’u dërgohet 20.238, veteranëve, që janë të prekur nga kjo masë e që kanë të drejtë ankese, për të cilat duhet të vendos kolegji prej tre gjyqtarëve dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të ankesave që do të paraqiteshin, procesi gjyqësor do të zvarritej deri në pakufi./kallxo.com

Back to top button