"Jemi Kosova dhe do ta jetësojmë ëndrrën tonë”

“Jemi Kosova dhe do ta jetësojmë ëndrrën tonë”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar Federatën e Hendbollit të Kosovës për suksesin historik që e arriti Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll.

Kombëtarja U21 me ngadhënjimin në IHF Trophy Intercontinental ka siguruar pjesëmarrjen në kampionatin botëror të juniorëve që mbahet në Spanjë. Është hera e parë që një kombëtare e Kosovës në sportet ekipore kualifikohet në botëror.

Në letrën e urimit të Presidentit Thaçi për Presidentin e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, thuhet: “Nuk kanë të ndalur sukseset e sportistëve tanë. Më gëzoi shumë fitorja në hendboll ndaj Taipeit Kinez në U21. Kosova tashmë e ka ekipin e parë kombëtar që do të marrë pjesë në një Kampionat Botëror. Jemi Kosova dhe do ta jetësojmë ëndrrën tonë”.

Shorti për kampionatin botëror të juniorëve në hendboll “Spanja 2019” do të tërhiqet më 21 maj në Pontevedra të Spanjës. Botërori mbahet prej 16 deri më 28 korrik në Vigo dhe Pontevedra. Për herë të parë në një botëror merr pjesë edhe Kosova, falë suksesit historik në IHF Trophy./21Media