Prezantohej rrejshëm si zyrtar i AKI-së, arrestohet 26 vjeçari

Policia ka sekuestruar dokumentin e falsifikuar

Policia e Kosovës, pas një pune hetimore në teren, duke realizuar dhe aplikuar masat e fshehta të përgjimit të telekomunikimeve, sot bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka arritur të ndalojë të dyshuarin: E.J. viti i lindjes 1992.

I njëjti dyshohet se ka kryer veprat penale: ‘Prezantim i rremë si person zyrtar’,  ‘Spiunazh’ dhe ‘Falsifikim i dokumenteve’, andaj i njëjti është shoqëruar në njësinë kompetente për procedura të mëtejme.

I dyshuari, dyshohet se ka përpiluar një dokument të rremë  gjoja se është zyrtar në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe  atë dokument e ka përdorur në kohën kur është ndalur nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit rutinë,  duke i venë  në lajthim nën arsyetimin se është me detyra apo punë konkrete nga AKI-ja. Policia ka sekuestruar dokumentin e falsifikuar me të cilin ka vepruar dhe prezantuar në mënyrë të kundërligjshme  apo  të rreme.

Pas përfundimit të gjitha veprimeve paraprake hetimore,  i dyshuari është intervistuar në cilësi të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me aktvendim mbi ndalimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ai është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale.

Back to top button